Ali Ahmeti takon ish ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka njoftuar për një takim me ish ministrin e Mbrojtje së Shqipërisë, dhe deputetin aktual Pirro Vengu, të cilin e cilësoi si një personalitet që mishëron përkushtimin ndaj shtetit dhe interesit kombëtar.

Ahmeti bëri të ditur se gjatë takimit është zhvilluar një bisedë mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët, zhvillimet në rajon dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar.

“Në një frymë të sinqertë vëllazërore dhe përgjegjësie ndaj së ardhmes sonë, zhvilluam një bisedë të thellë mbi sfidat që përballen shqiptarët sot, zhvillimet në rajon dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar si shtyllë kyçe për stabilitetin, integrimin evropian dhe fuqizimin e zërit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Ahmeti.

Kreu i BDI-së po ashtu bëri të ditur se nga Vengu ka pranuar si dhuratë librin Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit të autorit Thomas Frashëri, të cilin e vlerësoi si një vepër me peshë historike dhe shpirt kombëtar.

Sipas Ahmetit, takime të tilla janë dëshmi e unitetit dhe përkushtimit të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më dinjitoze për kombin shqiptar.