Ali Ahmeti refuzon 12 deputetë, vetëm të mos hetohen zgjedhjet në Zajas!?

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i dha një mundësi të artë BDI-së të rrisë numrin e deputetëve. Ai tha se deputetët e koalicionit opozitar do t’i dhurohen BDI-së, vetëm nëse dëshmohet se procesi zgjedhor në fshatin e lindjes së Ahmetit, Zajas, ka qenë i rregullt.
“Ftojmë KSHZ-në, BDI-në, cilëndo parti, secilën organizatë ndërkombëtare, secilën palë të interesuar apo të obliguar për të pasur Drejtësi, të zgjedhë një vendvotim, cilëndo qoftë, në Zajas! Më pas le të krahasohet numri i atyre që kanë votuar me numrin e personave që jetojnë atje, apo kanë bërë hyrje dalje në kufi!
Nëse shifrat përkojnë ne jemi gati të pranojmë rezultatet aktuale zgjedhore që sot, dhe të dhurojmë të gjithë mandatet tona, por nëse këto shifra nuk do të përputhen atëherë ne presim që të zbatohet Ligji!
Ne meritojmë Zgjedhje/Jo Vjedhje!”, ka thënë dje Taravari, duke u shprehur i bindur se në këto zgjedhje ka ndodhur vjedhje e vullnetit të votuesit shqiptar.
Nga BDI ende nuk ka përgjigje ndaj kësaj pyetje, që krijon përshtypje se Ali Ahmeti refuzon të ketë plus 12 deputetë (15+12=27), vetëm e vetëm të mos hetohen zgjedhjet në Zajas.