Ali Ahmeti: Ky vend s’ka histori pa UÇK-në (Video)

Sot u përkujtua 21-vjetori nga krisma e parë e pushkës në Kalanë e Tetovës. Bashkëluftëtarë, krerë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të ardhur nga Malësia dhe qytetet tjera të vendit i kujtuan të gjithë luftëtarët, dëshmorët e luftës së 2001-shit, të cilët luftuan deri në frymën e fundit për të drejtat dhe lirit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ish-udhëheqësi i luftës së 2001-shit, Ali Ahmeti tha se pa UÇK-në, nuk ka histori ky shtet, që sipas tij është çështje kohe e dite kur kjo histori të shkruhet. Tha se janë bërë shumë punë në aspektin kombëtar, arsimor, kulturor e politik, por ka akoma punë për të bërë.

“Nuk ka histori kombëtare të këtij vendi pa Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, është çështje ditësh është çështje kohësh, se kurrë ajo do të pasqyrohet dhe do të shkruhet, sepse ky vend i ka disa shtylla pa të cilat nuk mund të qëndroj në këmbë. Fillet janë me Republikën e Krushevës, është Lufta Nacionale Çlirimtare, është Pavarësia dhe është ndryshimi i kushtetutës, që është kapaku i historisë së këtij vendi. Dhe nuk ka histori pa Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, dhe nuk ka histori pa marrëveshjen paqësore të Ohrit, cilën do nga këto shtylla që t’ja rrënon, bjen kështjella. Këto janë shtylla që e mbajnë në këmb stabilitetin dhe të ardhmen e këtij vendi. Ne duhet të jemi shumë të organizuar janë bërë shumë pune, por kemi shumë punë përpara për të bërë”, tha Ahmeti.

Ish komandanti i brigadës, 112 Hazbi Lika tha se koha e dëshmoi se ende luftërat nuk kanë përfunduar. Lika tha se duhet të mblidhemi që të mbrojmë atë copë liri që na dhanë dëshmorët e 2001-shit.

“Një gjë duhet të kemi parasysh, koha shumë mirë e sidomos kjo e fundit, e dëshmoj se luftërat ende nuk kanë mbaruar, koha e dëshmon sot se më i forti i hipë në qafë më të dobëtit, kur të dëshiron. Prandaj të mblidhemi e të mos bëhemi më të dobëtit, të mos jemi të shtypurit, por jo edhe të shtypim, por qëllimi kryesor i joni është të mbrojmë territoret tona, dinjtetin tonë, atë copë lirie që na e sollën dëshmorët tanë”, tha Lika.

Në fund u bënë homazhe dëshmorëve të vitit 2001, që janë varrosur në Kalanë e Sellcës. Organizatorët thanë se do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, për të përkujtuar të rënët e luftës në Malësinë e Tetovës.