Aleanca për Shqiptarët zgjedh Shkëlqim Musliun në krye të degës së Likovës

 Aleanca për Shqiptarët ka vazhduar procesin e konsolidimit të strukturave organizative në prag të Kongresit të radhës, duke mbajtur sonte Kuvendin Zgjedhor të Degës në Likovë.

Në praninë e kryetarit të partisë, Arben Taravari, deputetëve, aktivistëve, anëtarëve dhe mysafirëve të shumtë, kuvendi zgjodhi Shkëlqim Musliun për kryetar të ri të Degës së Likovës.

Sipas njoftimit të partisë, Musliu mori mbështetjen e shumicës së delegatëve, ndërsa gjatë kuvendit u bë edhe riorganizimi i organeve të reja drejtuese të degës.

Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Musliu falënderoi anëtarësinë për besimin e dhënë, duke theksuar se funksioni i ri për të përfaqëson një përgjegjësi të madhe ndaj anëtarëve dhe qytetarëve.

Ai u zotua se do të punojë me përkushtim, transparencë dhe angazhim të vazhdueshëm për forcimin e Aleancës për Shqiptarët në Likovë.

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se procesi i riorganizimit do të vazhdojë edhe në degët e tjera të vendit, me synimin për të ndërtuar një organizim më të fuqishëm dhe më pranë qytetarëve, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e partisë.