Aleanca: Haraçina pa ujë dhe e mbuluar nga mbeturinat, Komuna i vë dry kërkesave

Këshilltari komunal i Aleancës për Shqiptarët-Komuna Haraçinë, Skender Isufi, thotë se si përfaqësues i zgjedhur i popullit, e ndjen për obligim ligjor dhe moral që publikisht të reagojë dhe të shprehë revoltën e qytetarëve të Komunës Haraçinë për shumë çështje dhe probleme me të cilat po përballen haraçinasit e për të cilat udhëheqësia lokale nuk po bën asgjë. Sipas tij problemet kryesore dhe me shumë urgjencë në Haraçinë janë:

1.Prej më shumë se dy muaj mbi 15 mijë banorë të vendbanimit Haraçinë nuk kanë asnjë pikë uji, arsyeja është ndalja e rrymës nga ana e EVN-së tek pompat që thithin ujin nga puset (bunarët) për shkak të mospagesës nga ana e Komunës. Ky është një problem shumë i madh edhe për dy shkollat fillore ku mësojnë mbi 2 mijë nxënës, sipas informatave që unë si këshilltar komunal kam, në shkolla nuk punojnë as banjot për shkak të mungesës së ujit dhe kjo paraqet rrezik potencial edhe për përhapje të ndonjë sëmundjeje epidemike.

2. Problemi tjetër gjithashtu shumë alarmant është situata me mbeturinat, para çdo shtëpie në Haraçinë është formuar nga një mini-deponi sepse ndërmarrja përkatëse komunale prej më shumë se një muaj e ka ndërprerë punën pa asnjë arsyetim, si pasojë Haraçina po kundërmon erë të keqe dhe është bërë vend i rrezikshëm për të jetuar. Banorët që kanë mundësi me vetiniciativë po i pastrojnë, por kjo nuk
është zgjidhje. Unë si këshilltar i Aleancës për Shqiptarët dhe i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin Komunal jam i detyruar që publikisht t’i denoncoj këto probleme shumë serioze të banorëve të Haraçinës sepse aty në Këshillin Komunal as që shqetësohen për këto probleme.

I bëj apel Ministrisë së Ekologjisë dhe personalisht Kryeministrit Zaev i cili ka marrë votat e Haraçinasve, me shpresë për një jetë më të mirë; të ndërmerr masat e nevojshme të menjëhershme për zgjidhen e këtyre dy problemeve shumë urgjente me të cilat po përballet Haraçina.

Kujtoj se kjo është hera e fundit që ju drejtohem publikisht për t’ju lutur që të kryeni punën për të cilën populli ju ka legjitimuar dhe e keni obligim! Në rast të neglizhencës, hapi i ardhshëm që do ta ndërmarrim bashkë me banorët e Haraçinës janë protestat në rrugën rajonale Shkup-Kumanovë.