Nesër bojkohet mësimi, shkak ndotja

Në njoftimin e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM), thuhet se është marrë vendim që të bojkotohet procesi arsimor për ditën e nesërme për shkak të ndotjes së ajrit.

“Ju informojmë se Unioni ka marrë vendim që të bojkotojë procesin arsimor ditën e nesërme (20.12.2019) për shkak të ndotjes enorme në vend. Nxënësit do të bashkëngjiten në protestën masive kundër ndotjes së ajrit në Shkup”, thuhet në njoftimin e UNSHM-së.

Ata shtojnë se bojkotimi do të realizohet në qytetet më të ndotura si Tetova, Gostivari, Kumanova, Shkupi dhe Manastiri.

” Ne kemi marrë vendim vetëm për ditën e nesërme që të bojkotojmë, ndërkaq ne do të monitorojmë situatën dhe do të vendosim se a do ta vazhdojmë bojkotin”, thuhet në njoftimin e UNSHM-së.

Ndryshe, qytetet e Maqedonisë kohëve të fundit janë me ndotje të madhe të ajrit. Problemi i ndotjes së ajrit është problem i kamotshëm i Maqedonisë, posaçërisht gjatë sezonit të dimrit. Shkupi disa herë ka qenë qyteti më i ndotur në botë ndërsa qytetet tjera janë në gjendje gati të njëjtë me Shkupin.