Shkruan: Naser Pajaziti
Hristijan Mickoski që në mëngjes na e shpalli njëfarë aleance strategjike me Hungarinë, pasi që erdhi lajmi i hidhur nga BE.
Është e qartë se Viktor Orban ka synimet e tij për shtrirje dhe ndikim në Ballkan, tanimë pas Serbisë duke u përqëndruar edhe në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë po del në sipërfaqe plani i njohur i shtrirjes gjeostrategjike përmes trajektores Budapest-Beograd-Shkup, me synim fuqizimin e Korridorit 10 me dalje në Greqi.
Orban është modeli më i keq dhe më kontradiktor i qeverisjes në vendet anëtare të BE-së. Pushtetari problematik i partisë konservatore hungareze nga 2010 qeverisë me Hungarinë dhe shquhet për euroskepticizëm dhe qëndrimet kundër BE-së dhe emigracionit, qëndrimet autoritare në shumë çështje, përfshirë kufizimin e lirive të mediave dhe të gjyqësorit, etj.
Orbán ka ndërtuar dhe po forcon marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, duke sfiduar politikat tradicionale të BE-së dhe NATO-s. Ai ka marrë kritika nga Perëndimi për afrimin e tij me Vladimir Putin dhe për investimet e mëdha kineze në Hungari.
Si një politikan polarizues ai po sfidon modem e demokracisë liberale në Evropë dhe është bërë model nxitës në disa shtete. Si duket edhe Mickoski po synon ta përqafoj këtë model duke sfiduar veten dhe pushtetin e tij përballë Brukselit. E kjo të kujton thënien për inat të vjehrrës, do fle me mullixhinë”!!!