Albume, çmime prestigjioze e miliona njerëz që i dëgjojnë – sukseset që shënuan gjatë 2023 shqiptaret Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e Ava Max

Yjet me origjinë shqiptare, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max, ia ndrritën fytyrën popullit shqiptar edhe gjatë vitit 2023. Këto artiste, me të arriturat dhe prezencën e tyre të vazhdueshme në skenat muzikore, në defilejet e modës dhe në ekranet e mëdha të kinemasë, janë bërë ambasadore të talentit dhe të guximit shqiptar në të gjithë botën.

Nga shfaqjet magjepsëse në tapetin e kuq të MET Gala deri te përfaqësimi me zë e figurë në ceremonitë më prestigjioze të çmimeve muzikore, ato vazhduan të nënshkruajnë suksese të jashtëzakonshme.

Telegrafi nis këtë vit me një panoramë të ngjyrosur me arritjet dhe çastet më të ndritshme që shënuan shtigjet e tyre të suksesshme gjatë vitit të kaluar.

Kjo përmbledhje shtrihet nga bota e muzikës, ku albume të reja u lansuan dhe hitet u bënë himne të rinisë globale, te sfilatat e modës, ku stilistët e mëdhenj u frymëzuan nga karizma dhe individualiteti i tyre. As kinematografia nuk mungoi në skenat e triumfit të tyre, me role dhe këngë tema që do të mbeten në kujtesën e dashamirësve të filmit për kohë të gjatë.

Dhe si mund të anashkalohet prania e tyre në skenën e çmimeve? Çmimet e shumta që ata u shpërblyen ishin dëshmi e përkushtimit dhe ndikimit të tyre të palëkundur. Këto artiste shqiptare me famë botërore kanë hedhur një dritë të fortë jo vetëm në rrugët e tyre artistike, por edhe në krenarinë e një kombi që i shikon ato si simbole të suksesit dhe të identitetit ndërkombëtar.

RITA ORA

Nëse ka një vit që do të kujtohet si një periudhë e arte për Rita Orën, artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, ai është padyshim 2023. Gjatë këtij viti, Rita ka shënuar jo vetëm çaste profesionale që shtrihen nga skena muzikore në atë të modës dhe filantropisë, por edhe ka thelluar lidhjen e saj me rrënjët shqiptare në mënyrë më të dukshme se kurrë më parë.

Kulmin e suksesit të saj e përfaqëson mirënjohja e jashtëzakonshme që iu dha nga Brit Awards, me çmimin “Brits Billion”, i cili e njeh këngëtaren për arritjen e madhe prej mbi një miliard dëgjimeve në platformat muzikore.

Rita Ora me çmimin “Brit Billion” nga Brit Awards (Foto: Rita Ora/Instagram)

Ky është një testimoni e talentit të saj si këngëtare dhe aftësisë për të prekur zemrat e dëgjuesve në mbarë botën.

Në maj, Rita bëri një hap të guximshëm në Eurovision, duke u shfaqur si e ftuar speciale në një nga netët gjysmëfinale të këtij spektakli europian. Interpretimi i saj mbresëlënës ishte një festë hitesh që përfshinte disa nga këngët më të dashura nga repertori i saj dhe i dhuroi publikut një përvojë të paharrueshme.

Rita Ora në “Eurovision 2023” (Foto: Rita Ora/Instagram)

Por Rita nuk është vetëm një zë i fuqishëm në muzikë; ajo është edhe një ikonë e modës, siç dëshmoi në Met Gala 2023, ku shkëlqeu me një pamje që u bë shkak për komente dhe analiza në mediat më prestigjioze të modës.

Rita Ora dhe Taika Waititi në MET Gala 2023 (Foto: Christopher Polk/WWD via Getty Images)

Karriera e saj muzikore mori një tjetër shtysë me publikimin e albumit të saj të tretë, “You and I”, i cili u prit me shumë entuziazëm nga fansat dhe vuri në dritë zhvillimin e mëtejshëm të stilave të saj artistike.

Ky album përfshinte hite nga më të ndryshmet si “You and I”, klipi i së cilës u shoqërua me imazhe ekskluzive të martesës së saj në verën e vitit 2022 në Los Angeles, “Praising You” në bashkëpunim me FatBoy Slim dhe “You Only love Me”.

Koopertina e albumit “You & I” nga Rita Ora (Foto: Rita Ora/Instagram)

Këtë të fundit, ajo u ftua ta interpretonte live në emisionin më të shikuar amerikan, “Tonight Show Starring Jimmy Fallon”.

Gjatë verës, Rita mori pjesë si e ftuar speciale në Festivalin e Filmit në Venecia, ku shkëlqeu jo vetëm në tapetin e kuq, por edhe me performancën e saj në eventin e bamirësisë amFar, duke mbledhur fonde për luftën kundër HIV/AIDS.

Rita Ora në Festivalin e Filmit në Venecia 2023 (Foto: Franco Origlia/GC Images)

Prezenca e saj në Prishtinë për të festuar ditëlindjen e 34-të pranë familjarëve dhe të dashurve tregoi lidhjen e pandashme që Rita ka me vendlindjen e saj.

Takimet e saj me liderët e lartë të Kosovës ishin një sinjal i rëndësishëm i ndërgjegjësimit të saj për rëndësinë e artit si urë ndërmjet popujve dhe kulturave.

Rita Ora në Prishtinë, nëntor 2023 (Foto: Përparim Rama/Instagram)

Për të mbyllur një vit të jashtëzakonshëm, Rita Ora festoi më shumë se 453 milionë dëgjime në Spotify dhe një shfaqje spektakolare në Jingle Bell Ball, duke konfirmuar edhe njëherë se ajo është nga artistet më të ndjekura në skenën botërore.

Statistikat vjetore të Rita Orës në Spotify për 2023 (Foto: Rita ora/Instagram)

Viti 2023 ka qenë një periudhë dritësh për Rita Orën, dhe me çdo hap të sigurt që ajo ka hedhur, ajo ka fortifikuar vendin e saj si një nga zërat më të fuqishëm dhe më të ndritshëm në historinë e muzikës bashkëkohore.

BEBE REXHA

Viti 2023 do të mbahet mend si një nga më të veçantët në karrierën e artistes shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha. E mbushur me sfida dhe suksese, kjo periudhë e pasqyron në mënyrë të shkëlqyer udhëtimin e saj artistik dhe kontributin e madh në muzikën pop dhe elektronike.

Bebe e nis vitin me një valë të madhe suksesi, pasi bashkëpunimi i saj me DJ të famshëm David Guetta, “I’m Good (Blue)”, i sjell asaj një nominim të nderuar në “Grammy Awards 2023” në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”. Ky fillim i fuqishëm paralajmëronte një vit të mbushur me arritje dhe njohje.

Bebe Rexha në “Grammy Awards 2023” (Foto: Lester Cohen/Getty Images for The Recording Academy)

Pavarësisht se nuk e fitoi çmimin e shumëpritur ‘Grammy’, ku triumfoi Beyoncé me këngën “Break My Soul”, Rexha nuk humbi shkëlqimin e saj. Me një paraqitje spektakolare dhe të veshur rreze-rreze me një fustan rozë sateni nga “Moschino”, Bebe shkëlqeu në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.

Sukseset e saj u vazhduan me fitimin e çmimit “Kënga më e mirë ritmike” në “iHeart Radio Music Awards” për të njëjtin bashkëpunim me Guettan, duke i dhënë një tjetër kënaqësi në muajin mars.

Bebe Rexha në iHeart Radio Music Awards 2023 (Foto: Kevin Mazur/Getty Images for iHeartRadio)

Albumi i saj i vetëtitulluar “Bebe”, i cili përfshinte hitin me Guettan dhe bashkëpunime të reja si “Satellite” me Snoop Dogg dhe “Seasons” me Dolly Parton, u publikua në muajin prill, duke shënuar një tjetër kapitull të suksesshëm në karrierën e Rexhës.

Ky album solli një fushë të re të eksplorimit artistik dhe bashkëpunimeve të jashtëzakonshme.

Koopertina e albumit “Bebe” nga Bebe Rexha (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Vera e saj u mbush menjëherë me skeda udhëtimesh pasi Rexha njoftoi turneun e saj “Best F*n Night Of My Life”, një seri koncertesh që do ta çonte atë nga Amerika e Veriut nëpër Evropë, Azi dhe Australia.

Në qershor, gjatë një koncerti në New York, një incident i pazakontë e solli Rexhën në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Duke përjetuar një përplasje të befasishme me një fans, Bebe u detyrua të vizitojë spitalin për të marrë ndihmë mjekësore, një situatë që përfundoi në gjykatë.

 

Megjithatë, vjeshta i solli Rexhës një tjetër arsye për të festuar, pasi në nëntor ajo jo vetëm që performoi në “Billboard Music Awards 2023” por gjithashtu fitoi çmimin “Top Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për hitin e saj të dashur “I’m Good (Blue)”.

Bebe Rexha në ‘Billboard Music Awards 2023’ (Foto: Gilbert Flores/Penske Media via Getty Images)

Nuk do të kalonte shumë kohë para se talenti i saj të tërhiqte vëmendjen e FIFA, që e zgjodhi Rexhën për të kompozuar dhe interpretuar himnin zyrtar të Kampionatit Botëror për Klube 2023.

“It’s On” u lansua si kolona zanore e ngjarjes dhe u interpretua nga Rexha në një performancë elektrizuese në finalen e mbajtur në Arabinë Saudite.

Bebe Rexha dhe David Guetta në Kampionatin Botëror të futbolit për klube 2023, në Arabinë Saudite (Foto: GIUSEPPE CACACE/AFP via Getty Images)

Viti i artistes shqiptare u mbyll me 1.7 miliard dëgjime në Spotify.

Statistikat vjetore të Bebe Rexhës në Spotify për 2023 (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Ajo gjithashtu moti një tjetër nominim prestigjioz për “Grammy Awards 2024”, duke konfirmuar një herë për të gjithë se Bebe Rexha është një nga emrat më të ndritshëm në skenën muzikore botërore.

DUA LIPA

Viti 2023 i ka dhënë Dua Lipës, këngëtares shqiptare me famë botërore, momente për të kujtuar dhe për të festuar. Ndërsa karriera e saj e përbashkët me ngjarje të njëpasnjëshme u shfaq pak më e qetë këtë vit, sukseset dhe praninë e saj të vazhdueshme në skenën globale e kanë mbajtur atë në qendër të vëmendjes.

Duke filluar vitin në një notë pozitive, Dua Lipa pranoi Çmimin e Ekselencës në festivalin ESNS 2023, një ngjarje të ndjekur ngushtë nga babai i saj, Dukagjin Lipa. Çmimi është një vlerësim i ndjeshëm për kontributin e saj si ambasadore e fortë për muzikën evropiane dhe një model për artistë të tjerë që synojnë të bëjnë suksese më të mëdha.

Dua Lipa me Çmimin e Ekselencës në ESNS 2023 (Foto: ESNS)

Edhe pse nuk triumfoi në kategoritë ku u nominua, përfshirë “Brit Awards 2023”, “iHeart Radio Music Awards 2023” dhe “MTV VMA”, Dua nuk u zhgënjye.

Ajo vijoi të impresionojë me paraqitjen extravagante dhe të kujdesshme në MET Gala 2023, duke marrë vëmendjen e të pranishmëve dhe botës së modës me stilin e saj të nënshkruar nga “Chanel”.

Dua Lipa në MET Gala 2023 (Foto: Dimitrios Kambouris/Getty Images for The Met Museum/Vogue)

Duke zgjeruar epërsinë e saj në industrinë e modës, koleksioni i veshjeve të realizuar në bashkëpunim me Donatella Versace u prit me mjaft entuziazëm nga adhuruesit e stilit dhe fansat e saj.

Triumfi më i madh i vitit vjen në fund të majit me lansimin e këngës “Dance The Night Away”, e cila u shndërrua në kolonën zanore të filmit sensacion të vitit, “Barbie”.

Dua Lipa në premierën e filmit “Barbie” në Los Angeles (Foto: Axelle/Bauer-Griffin/FilmMagic)

Kjo këngë do të sjellë për Dua Lipën një nominim në “Grammy Awards 2024” në kategorinë prestigjioze “Kënga e Vitit” dhe një vend në listën e ngushtë për nominimet në “Oscars 2024” për “Kolona Zanore më e Mirë”.

Rikthimi në kinematografi u pasqyrua me një cameo në filmin “Barbie”, ku Dua u shfaq në rolin tërheqës të Barbie sirenas.

Dua Lipa në premierën e filmit “Barbie” në Londër (Foto: JUSTIN TALLIS/AFP via Getty Images)

Verën e kaloi në Shqipëri, duke ecur rrugët e njohura dhe promovuar vendin e saj, riviera e të cilit u prezantua përmes syve të një ikone ndërkombëtare si Dua Lipa përpara një audience botërore.

Dua Lipa dhe familja e saj në Shqipëri gjatë verës 2023 (Foto: Anesa Lipa/Instagram)

Përmbyllja e vitit sjell një tjetër këngë të re, “Houdini”, që është një paralajmërim i albumit të saj të ardhshëm të planifikuar për vitin 2024. Duke pasur parasysh ritmin dhe energjinë e saj të vazhdueshme, ka pak dyshim se do të na bëjë përsëri të kërcejmë dhe të këndojmë me Dua Lipën gjatë vitit që vjen.

Në tërësi, Lipa e mbylli vitin 2024 me 3.2 miliardë dëgjime në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.

Statistikat vjetore të Dua Lipës në Spotify për 2023 (Foto: Dua Lipa/Instagram)

AVA MAX

Ava Max, ylli i muzikës me rrënjë shqiptare, ka përjetuar një vit 2023 të mbushur me zhvillime dhe arritje të jashtëzakonshme. Artistja, e njohur si një nga zërat më të ndritshëm në industrinë e muzikës pop, ka vazhduar të rritet dhe të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare.

Të shkëlqyerit e vitit filluan në muajin janar kur Ava Max publikoi me shumë entuziazëm albumin e saj të dytë, “Diamonds & Dancefloors”. Ky projekt muzikor shpejt arriti të zënte një vend të lartë në renditjen e iTunes, duke u shpallur si i dyti më i dëgjuar i momentit, vetëm pak ditë pas daljes së tij.

Koopertina e albumit “Diamonds & Dancefloors” nga Ava Max (Foto: Ava Max/Instagram)

Albumi “Diamonds & Dancefloors” pati një pritje të ngrohtë nga fansat dhe kritikët, duke konsoliduar Ava Max si një prej artisteve më të ndjekura dhe të dashura të kohës. E me melodi që pushtuan valët e radios, Ava Max u gjend sërisht në qendër të vëmendjes dhe shijoi suksesin e projektit për muaj me radhë.

Maj i gjeti Ava Max në një skenë tjetër të rëndësishme – MET Gala. Ajo magjepsi të pranishmit me një fustan të bardhë e elegant dhe një pelerinë madhështore. Ky paraqitje u bë shpejt tema e diskutimeve dhe komplimenteve nga adhuruesit e modës dhe kritikët e saj.

Ava Max në MET Gala 2023 (Foto: Kevin Mazur/MG23/Getty Images for The Met Museum/Vogue)

Gjatë verës, Ava Max u ftua të kontribuonte me talentin e saj muzikor në një nga filmat më të shikuar të vitit – “Barbie”.

Ajo përformoi temën muzikore “Choose Your Fighter” dhe mori vëmendje të madhe në premierën e këtij filmi në Los Angeles, duke solidifikuar edhe një herë aftësinë e saj për të shkëlqyer në çdo skenë që iu jepet.

Ava Max në premierën e filmit “Barbie” (Foto: Christopher Polk/WWD via Getty Images)

Një incident në një nga koncertet e saj verore në San Diego solli Ava Max sërish në vëmendje, kur një fans hyri në skenë dhe e goditi atë.

Ky incident e tregoi artisten në një moment të papritur, por edhe aftësinë e saj për të ruajtur qetësinë dhe profesionalizmin në kushte të papritura.

 

Edhe pse gjatë vitit 2023 Ava Max nuk u nominua për ndonjë çmim, shkëlqimi i albumit “Diamonds & Dancefloors” është një parashikim i mirë për të ardhmen. Suksesi i vazhdueshëm dhe prania e saj e pandalshme në skenën muzikore e përgatit atë për një perspektivë të premtuese me nominime dhe çmime që mund të vijnë në vitin 2024.

Ava Max në festivalin “Lollapalooza 2023” (Foto: Kristy Sparow/Getty Images)

Ava Max, me zemër të shqiptare dhe talent ndërkombëtar, ka pikturuar vitin 2023 me ngjyra të suksesit dhe të arritjeve, dhe pa dyshim se do të vazhdojë të ndriçojë edhe më tej në botën e muzikës.