Albini jep lajmin e pritur: Do kemi mbi 60 deputetë!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, u shpreh i bindur se qeveria e tij do të ketë votat e mjaftueshme në Kuvend pa pasur nevojë për një koalicion paszgjedhor. Ai thotë se mund të marrë vota nga deputetë jo-serbë si dhe nga ndonjë deputet tjetër opozitar. Në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA), Kurti flet edhe për dialogun, duke thënë se do të hapet një kapitull i ri me Serbinë përmes një dialogu të sinqertë. Ai ka përsëritur se dialogu do të jetë prioritet i katërt pas punësimit, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19.

Në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, Kurti deklaroi se do të punojë me pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, për të ndryshuar mendim rreth mëvetësisë së Kosovës.

Intervista e plotë:

BTA: Kush do të ishte partner i mundshëm në qoftë se do të kishte nevojë për një koalicion qeverisës?

Albin Kurti: Ne veçse e kemi bërë koalicionin para zgjedhjeve, dhe ky koalicion parazgjedhor të cilin e kemi krijuar me listën e Presidentes Vjosa Osmani, gjë që ka bërë që këto zgjedhje të parakohshme të shndërrohen në referendum të njerëzve, ku ne arritëm fitore me një lumë votash. Si pasojë, ne nuk shohin asnjë parti tjetër nga “garda e vjetër” apo “Ancien Régime” siç parapëlqejmë t’i quajmë, si partner të ardhshëm të qeverisë sonë. Si rrjedhojë, nëse me 50 përqind të votave, ne nuk kemi 61 deputetë të parlamentit për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, ne planifikojmë të marrim deputetë të parlamentit nga minoritetet joserbe, dhe ndoshta disa anëtar të parlamentit nga opozita të cilët thjeshtë do të donin të përfaqësonin njerëzit të cilët i kanë votuar, përkundër partive të cilave u përkasin. Jam i bindur se qeveria jonë do të ketë shumicën, pa pasur nevojë të hyjë në asnjë lloj negociatash me ata të cilët janë mundur nga lista jonë e përbashkët.

BTA: Cilat janë disa nga problemet kryesore në Kosovë të cilat synoni t’i zgjidhni, dhe çfarë hapash do të merrni për t’i zgjidhur ato?

Albin Kurti: Përkundër rajonit, moshës, apo nacionalitetit në Kosovë, njerëzit pajtohen në atë se janë dy çështje të pazgjidhura: punësimi dhe drejtësia. Kështu që, ne planifikojmë të kemi investime intensive të punës për të ngritur nivelin e punësimit, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, dhe nga ana tjetër, ne planifikojmë të luftojmë korrupsionin dhe krimin, dhe të sjellim rregull e ligj dhe të krijojmë Bankën Zhvillimore për të ulur normat e interesit dhe për të rritur grejsperiudhat, në mënyrë që të kemi më shumë investime, nivel më të lartë punësimi, më shumë prodhim, më shumë eksporte, më pak importe, dhe në këtë mënyrë të dalim nga kjo krizë e shumëfishtë në një hekurudhë të progresit socio-ekonomik. Ne kandiduam dhe fituam me biletën e punësimit dhe drejtësisë.

BTA: Cila është perspektiva juaj mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe cili është propozimi i qeverisë së re për vazhdimësinë e këtij dialogu?