Albin Kurti s’e ka pritur fare 29 majin kur pritet edhe të publikohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit për formimin e Qeverisë së re.
Shefi i Vetëvendosjes ka propozuar 14 qershorin si datë të zgjedhjeve pasi kështu po mendon edhe PDK’ja, Vjosa Osmani dhe disa deputetë të tjerë.
“Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje, sepse tubimin e madh përmbyllës do ta mbanim të premten me 12 qershor, pra duke e festuar njëkohësisht 15 vjetorin e themelimit të VETËVENDOSJE!-s”, ka shkruar ai.
Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, ka thënë se Partia e Kadri Veselit po mendon sikur Lëvizja Vetëvendosje që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ka thënë se sikur VV e PDK mendon edhe Vjosa Osmani dhe disa deputetë të tjerë që s’duhet të ketë qeveri të re por zgjedhje të jashtëzakonshme.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar të premten dekretin e Presidentit, i cili mandatoi Avdullah Hotin për Shef të Qeverisë së re pasi Albin Kurti refuzoi të dërgonte emrin e ri për Kryeministër pas pesë letrave që Shefi i Shtetit që i kërkonte fituesit të propozonte emrin e ri për mandatar të Qeverisë.