Albin Kurti me apel prekës: Manastiri është i yni, Shkupi na e dha kampionin e parë olimpik, Shaban Tërstena!

Të dashur miq, zonja e zotërinj, bashkëkombësit e mi shqiptarë, që jetoni si autoktonë në tokën tuaj në Maqedoninë e Veriut. Po ju drejtohem me këtë video, sepse nuk mund të ju vizitoj në Shkup, siç e pata në plan, për shkak të masave kufizuese, gjatë pandemisë. Nuk mund të takohemi fizikisht, por megjithatë mund të komunikojmë, e të vazhdojmë të jemi pranë njëri tjetrit, ashtu siç duam, ashtu siç duhet. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonjëri që nuk e din historinë e shqiptarëve, mundet të mendojë se janë periferi, provincë e shqiptarisë. Por ata kanë qenë në ballë të gjitha proceseve tona kombëtare, për lirinë e Kosovës kanë dhënë jetën shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, e pastaj shumë të tjerë luftuan edhe në Maqedoni, bashkë me të rinj nga Kosova, e nga vise tjera shqiptare, për një ëndërr e cila sot duket sikur është harruar. Mirëpo ne nuk i harrojmë dëshmorët tanë, as idealet e tyre. Idealet nuk plaken kurrë, idealeve nuk u ikën koha. Ne që këndojmë këngën e Hajredin Pashës, e dimë historinë e Dervish Carës, e të kryengritjes së tij të 1844-ës, e cila i priu me më shumë se tri dekada lidhjes së Prizrenit.
Ata kërkonin autonominë e shqiptarëve në perandori, njësoj siç u ishte dhënë autonomia serbëve dikur. E pra, ky pararendës i pavarësisë dhe lëvizja e tij, nisi nga rrethinat e Tetovës dhe Dibrës dhe organizoi anembanë shqiptarët nga Shkupi deri në Shkodër. Mandej erdhi Lidhja e Prizrenit, e drejtues i mbledhjes më 18 qershor 1878 ishte Ilaz Pashë Qoku, apo Ilaz Pashë Dibra. Pastaj, mes shumë pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit nga Maqedonia e stome veriore, ishte aty edhe Sheh Mustaf Tetova, Jashar Bej Shkupi e Hasan Pashë Tetova. Pikërisht djali i këtij të fundit, Mehmet Pashë Deralla, u angazhua si ndihmës dhe bashkëluftëtar i Sulejman Vokshit dhe luftoi në të gjitha betejat e Lidhjes së Prizrenit e Besëlidhjes së Pejës.
Mehmet Deralla më pas u bë edhe ministri i parë i mbrojtjes në Qeverinë e Ismail Qemajlit në Vlorë, mandej kemi rilindësit dhe arsimtarët e parë të shqipes, Said Najdeni, apo Hoxhë Voka siç e njohim, që punoi me rilindësit e mërgatës dhe përhapi me shkolla e me shkrime mësimin e shqipes. Poashtu Jashar Erebara nga Shkupi, Ibrahim Temo nga Struga, qëndihmoi botimet shqip në Stamboll, Dervish Hima nga Struga dhe poeti shqiptar ortodoks i Rilindjes Kombëtare nga Reka e Epërme, Josif Bageri. Të mos harrojmë edhe kontributin e shquar të familjes Qiriazi nga Manastiri, Gjerasimi e Gjergji, mësues pionier të shqipes, e sidomos motrat e tyre, ndoshta gratë më të shquara të Rilindjes sonë, Parashqevi Qiriazi, veprimtare, mësuese e popullit, pjesëmarrëse në Kongresin e Alfabetit në Manastir, themeluese e Shoqatës së parë të Grave Shqiptare, autore e programit arsimor të qeverisë së Ismajl Qemalit, dhe diçka e rrallë, e vetmje delegate grua nga të gjitha vendet pjesëmarrëse që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Njashtu edhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ndër nismëtaret e para të arsimit të grave, pjesëmarrëse në Kongreset e Manastirit dhe Elbasanit, bashkëpunëtore e Ismajl Qemajlit, e patriote deri në fund.
Shumë prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë, qënë fakt ishte projekt për pavarësinë e gjithë shqiptarëve kudo, vinin nga Maqedonia e Veriut. Mustafa Baruti, Nuri Sojliu, Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, Zyhdi Ohri, e shumë të tjerë u bashkangjitën më vonë, për shkak se nuk arritën dot në kohë në 28 Nëntor.
Ja edhe një kuriozitet tjetër. Kryetari i parë i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, menjëherë pas pavarësisë, ishte Haxhi Vehbi Dibra. Në Vlorë ai ka thënë se kristijanët dhe myslimanët janë vëllezër shqiptarë të pandarë, duke i vënë vulën realitetit tonë kombëtar të bashkëpunimit mes besimtarëve të feve të ndryshme, vlerë që duam aq shumë, e që mburremi me të.
Alfabetin me të cilin shkruajmë shqipen, e kemi nxënë në manastirin tuaj, në Manastirin tonë. Prej shqiptarëve të Maqedonisë së veriut, vijnë shumë shkrimtarë me vlerë për letërsinë shqipe, historik, e bashkëkohor. Po e përmend për shembull Haki Stërmillin, që me librin “Sikur të isha djalë”, çel temën e rëndësishme, të vuajtjes e diskriminimit të gruas, temë për të cilën politika edhe sot ka për detyrë të bëjë shumë. Mandej edhe piktorë, i madhi Abdurrahim Buza, apo Sabri Fetahu, e Omer Kaleshi, e shumë këngëtarë, e poetë, profesorë e kritikë, e shkencëtarë. Por edhe sportistë. Gjithë bota e din se shqiptari i parë që ka marrë medalje ari në lojërat olimpike, ka qenë Shaban Tërstena, mundësi nga Shkupi, e dyta Majlinda jonë e artë nga Peja. E dy nobelistët me të cilët mburret krejt shqiptaria, humanistja Nënë Tereza, e Ferid Murati, vijnë prej anëve tuaja. Pra ka shumë potencial te Ju. Ju nuk jeni provincë e shqipes, ju njësoj si shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Kosovës, Diasporës, dhe kutpohete dhe Shqipërisë, pa harruar edhe arbëreshët, jeni zemra e kulturës tonë.
Por që potenciali i vajzës dhe djalit shqiptar të mund të shprehet, ai ka nevojë për disa kushte themelore. Këto kushte nuk realizohen dot aty ku ka diskriminim e pabarazi.
Shqiptarëve u duhet të jenë prezent kudo, aq sa u takon. Këtë të drejtë ua japin ligjet. Duk duhet lejuar që t’ua mohoj politika e vjetër, apo ajo e korruptuar. Ne jemi popull paqësor, por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë pa drejtësi, e nën korrupsion, pa arsim, e në injorancë, pa shëndetësi, e në ligështi, pa punë e në skamje. Pabarazia duhet të luftohet në të gjitha format e saj, tërë kohën dhe nga të gjithë ne, kudo që jemi, e që bëhemi.
Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim, me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë. Le ti lëmë pas të vjetrat, le të kthehemi kah e reja, se na duhen ndryshime, zhvillim e demokraci. Mbështeteni ndryshimin dhe më lini tua kujtoj edhe një herë, si Albin e si Vetëvendosje. Nuk jeni vetëm, jemi bashkë, kurrë nuk do të jeni vetëm. Ju faleminderit dhe urime!