Albin Kurti e Bekim Jashari dakordohen për unitet në luftimin e koronavirusit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot komunën e Skenderajt dhe ka takuar kryetarin e kësaj komune, Bekim Jasharin me të cilin ka biseduar rreth situatës së krijuar si pasojë e përhapjes së koronavirsuit. Bekim Jashari ka shkruar se me Kurtin janë marrë vesh për unitet, pa dallime, në mënyrë që të dilet më lehtë nga gjendja e krijuar me Covid-19.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari përmes faqes së tij në facebook ka njoftuar se kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka informuar për masat që kjo komunë ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Ky është shkrimi i kryetarit të Skenderajt:

Sot prita në takim Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe Ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Redžepi, të cilët i informova rreth gjendjes aktuale në Skenderaj dhe për masat që kemi marrë n ë parandalimin e pandemisë COVID-19.

Me Kryeministrin Kurti biseduam shumë gjera që po na preokupojnë rreth pandemisë COVID-19, po ashtu u dakorduam që të kemi unitet mes vete, pa dallime, në mënyrë që të dalim sa më lehtë nga kjo gjendje në të cilën jemi.

Gjatë këtij takimi u bëmë thirrje qytetarëve për respektim të këshillave të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe të institucioneve të tjera.