Albin Kurti dhe Kosova e sovranitetit

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Çdo periudhë i ka aktorët e vet. Është ky një parim që askund nuk është dëshmuar më saktë se në politikë.

Kosova hyri në dekadën e dytë të shekullit XXI me një shtet akoma të panjohur e të papranuar në OKB (kjo po zgjat tashmë 13 vjet), duke qenë shteti i vetëm i izoluar ndaj vendeve të BE-së (pa liberalizim vizash), me poces euro-atlantik gati në zero (pesë shtete të BE-së vazhdojnë të mos e njohin), me demokraci jashtëzakonisht të brishtë (asnjë qeveri që nga shpallja e pavarësisë nuk ka ushtruar mandat të plotë), me shkallë të lartë të korrupsionit, me drejtësi që lë shumë për të dëshiruar, me varfëri dhe papunësi të shkallës së lartë, si dhe me një gjykatë (Gjykata Speciale), të themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës, që ka marrë përsipër t’i gjykojë krimet e pretenduara të eksponentëve të lartë të UÇK-së. Jo që nuk ka gjëra pozitive, që ia vlejnë për t’u shënuar, por krahasuar me këto bullets-a në listën e problemeve me të cilat ballafaqohet ajo në vitin 2021, ato janë gati të papërfillshme. Kur kësaj i shtohet edhe konsumimi i shumicës së subjekteve politike, që nuk reflektojnë ndonjë shpresë të veçantë për qytetarin e Kosovës, zgjedhjet e caktuara për 14 shkurt 2021 janë shndërruar në një referendum për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

 

“Prej dyshimit deri në besim”

 

Ky ka qenë titulli i një libri që e lexoja në moshën e adoleshencës, atëbotë si debat intelektual me ateizmin, ndërsa sot më vlen si ilustrim i sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova në këtë tridhjetëvjeçar.

Kur më 1990 doli në skenë Lidhja Demokratike e Kosovës, me kryetar dr. Ibrahim Rugovën, përkundër entuziazmit të shkaktuar, ka pasur plot edhe skeptikë, që në emrin e Rugovës e kanë lexuar një politikan që ka marrë përsipër “ta vë në gjumë popullin e Kosovës dhe që nuk prodhon asgjë për lirinë e saj”. Konferencat javore të ditës së premte, që përfundonin me fjalinë “duam një Kosovë të pavarur, të hapur për Serbinë dhe Shqipërinë”, për shumëkënd lexoheshin si patetike dhe refrenuese, që nuk përcillnin asnjë mesazh. Madje, sa më shumë që afroheshin vitet e fundit të shekullit të kaluar, aq më shumë rriteshin zërat se pacifizmi i Rugovës nuk kishte mundësi të prodhonte një Kosovë të pavarur.

Fatin e dyshimit e ka përjetuar edhe UÇK-ja. Kur dolën tre eksponentët e parë të UÇK-së (28 nëntor 1997), në Prishtinë kishte plot intelektualë që e quanin UÇK-në “një gogol i Serbisë” (autorin e kësaj fjalie nuk po e përmend, për shkak se nuk është më në mesin e të gjallëve).

Këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtojë as Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! E themeluar më 2005 nën sloganin “Jo negociata, VETËVENDOSJE!”, madje duke e kundërshtuar rreptë administratën e Eulex-it dhe UNMIK-ut, si edhe më vonë Planin e Ahtisarit, nuk kanë reshtur zërat se “Albini është një shërbëtor i Serbisë” dhe se organizata e tij “anarkiste” kishte për synim “rrënimin e shtetit të Kosovës dhe kthimin e Serbisë”. Madje, ka pasur politikanë që herë-herë kanë gjetur edhe “argumente” për ta ilustruar “bindjen” e tyre.

Dhe, çuditërisht, për të gjitha këto faza, sa më shumë rritej dyshimi nga qarqe kundërshtare, proporcionalisht rritej edhe besimi i popullit. Rugova në vitet e ’90-ta u shndërrua gati në shenjtor të kauzës kosovare për shtet, UÇK-ja, po ashtu, u shndërrua në mit për shpëtimin dhe çlirimin e Kosovës dhe, sot, askush nuk e konteston se Albin Kurti do të jetë fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Si duket, shqisa intuitive e popullit është më e fuqishme dhe më e saktë se pretendimet e eksponentëve politikë.

Prandaj, nëse ka njerëz që akoma nuk e kanë kuptuar, ky është momenti i fundit ta kuptojnë, se ashtu siç nuk kishte fuqi që mund ta zhbënte besimin popullor kundrejt Rugovës në vitet e ’90-ta, ndaj UÇK-së në kapërcyell të shekullit, por edhe më vonë, është po aq e pavlerë kritika dhe dyshimi që mund të shfaqet sot ndaj Albin Kurtit. Jo që ai është i pagabueshëm, por Kosova tashmë ka hyrë në “periudhën e Albin Kurtit”.

Por, të shkojmë me rend. Duke e marrë parasysh gjithë jetën shoqërore-politike kosovare tridekadëshe, që nga shpërbërja e Jugosllavisë e deri më sot, na rezulton se aty janë tri faza, që mund të emërtohen si: Kosova e pacifizmit, Kosova e rezistencës dhe Kosova e pavarësisë. Këto tri faza, sipas nesh, tashmë kanë përfunduar dhe ky shtet po hy në fazën e katërt, që mund të quhet Kosova e sovranitetit. Natyrisht të gjitha këto i kanë aktorët e vet dhe ngjarjet e veta.

Sigurisht se ky kategorizim është relativ dhe nuk pretendon vlera absolute, por besoj thellë se, ndonëse me emërtime të tjera, kështu do të karakterizohet edhe historia shkencore tridhjetëvjeçare e Kosovës.

 

Kosova e pacifizmit

 

Në kohën kur po shpërbëhej Jugosllavia, kur Komisioni Arbitrar i Bashkimit Europian (i njohur si “Komisioni i Badenterit”, sipas emrit të juristit francez Robert Badenter), e përcaktoi se cilat nga njësitë federative mund të shpallnin pavarësi prej Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), me ç’rast Kosovës – duke qenë autonomi e jo republikë – iu mohua kjo e drejtë, në Prishtinë tashmë ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës me kryetar albanologun dr. Ibrahim Rugova. Ishte kjo një nismë që lindi në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, që më pas u shndërrua në parti politike dhe u bë subjekti i parë i regjistruar në sistemin shumëpartiak që po hapej në RSFJ.

Për brezat më të vjetër janë ngjarje që dihen, por për më të rinjtë duhet theksuar se më 1989 Serbia e suprimoi autonominë e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës i braktisën institucionet e pushtetit të dhunshëm serb, duke u krijuar kështu një gjendje gati aparteidi, kur shqiptarët dolën nga organet shtetërore, madje edhe nga arsimi shtetëror serb, ndërsa Serbia – me masa të dhunshme – e mbajti pushtetin në Kosovë deri në qershor të 1999-tës. Gjatë këtyre viteve të okupimit, kur Kosova nuk kishte potencial të bëjë luftë kundër Serbisë (siç bënë Sllovenia e Kroacia, që u pavarësuan shpejt), e veçmas pas skenave tragjike që i shkaktoi Serbia e Millosheviqit në Bosnjë në vitet 1992-1995 (kujtojmë këtu gjenocidin e Srebrenicës, ku mbetën të vrarë më se 8.000 civilë), si dhe kur e kemi parasysh gjendjen e Shqipërisë që akoma ishte në hapat e parë të daljes nga diktatura moniste, roli i Ibrahim Rugovës dhe i LDK-së ishte vendimtar. Ai arriti ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës, ndonëse jo ta bëjë pjesë të Marrëveshjes së Dejtonit (që shënon përfundimin e luftës së Bosnjës – 14 dhjetor 1995), dhe – në anën tjetër – arriti që në popullin e tij ta instalojë bindjen se “Kosova do të jetë shtet i pavarur, por pa luftë”. Sado që kjo në terma politikë e ushtarakë dukej utopike, utopia e Rugovës ishte çelësi që e shpëtoi Kosovën nga një kalvar i tipit të Bosnjës dhe që e përgatiti që, në ndërrim të shekujve, ta ketë rolin e një vendi/populli të cilit do i vinte në ndihmë gjithë bota perëndimore. Sipas informacioneve që sot qarkullojnë, thuhet se në fillim të viteve ’90-ta kanë qenë amerikanët ata që ia kanë kërkuar Rugovës ta ruajë këtë vijë dhe ai atë refren e ka përsëritur për 10 vite të tëra, madje edhe pas luftës së viteve 1998-99.

Përtej kësaj që e thamë, Ibrahim Rugova është protagonisti i parë i rrëfimit antikomunist e antijugosllav se Kosova mund dhe duhet të ndahet nga Serbia, madje duke e shqiptuar mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ai është i pari që pas gjysmëshekulli po e rikthente Kosovën në kauzën e Kuvendit të Bujanit (1944), të braktisur nga komunistët enveristë dhe titistë në Luftën e Dytë Botërore.

Shikuar nga perspektiva e sotme, me gjithë kontestimet që i bëhen nga kundërshtarët politikë, askush nuk mund ta mohojë se arkitekti i shtetësisë së Kosovës, njeriu që i bindi shqiptarët se Kosova mund të bëhet shtet i pavarur,r do të mbetet Ibrahim Rugova. Vitet 1989-1999 janë periudhë që historia e Kosovës e ka të lidhur pandashëm me emrin e tij. Madje, për të qenë më korrektë me veprën e tij, ato vite lirisht mund të quhen “Vitet e Rugovës” ose – për shkak të rezistencës paqësore që e ushtroi ai si mekanizëm politik – ajo do të mbetet e njohur si “Kosova e pacifizmit”.

 

Kosova e rezistencës  

 

Por, kur masat represive të pushtetit të Millosheviqit po rriteshin, kur shqiptarët çdo ditë i numëronin viktimat dhe të burgosurit, ndërsa ikja nga Kosova ishte shndërruar në dukuri që kishte prekur thuaja secilën familje shqiptare të Kosovës, një grup tjetër shqiptarësh – brenda dhe jashtë Kosovës – i kishin hyrë organizimit të grupeve të armatosura, fillimisht për ta mbrojtur popullatën civile, por – më pas – për ta realizuar detyrën çlirimtare të Kosovës nga okupatori. Ata erdhën në skenë të bindur se pacifizmi i Rugovës tashmë ishte konsumuar dhe nuk kishte çka të ofronte, andaj duhej bërë betejën e armatosur për liri. Edhe pse formacionet ushtarake të asaj ushtrie (të emërtuar më vonë si Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK) e dinin mirëfilli se cili ishte potenciali i tyre ushtarak përballë një ushtrie serbe me armatim të rëndë, kjo nuk i pengoi për zhvillimin e rezistencës së armatosur. Një moment që sigurisht i dha vrull kësaj fryme ishte vrasja e 58 shqiptarëve (mes tyre edhe 18 gra dhe 10 fëmijë të moshës nën 16 vjeç) në sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5 mars 1998. Sakrifica e Jasharajve i dha motiv rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, por jo vetëm, se liria nuk fitohej me “konferenca shtypi”, siç e akuzonin Ibrahim Rugovën, porse duhej bashkuar me rezistencën e armatosur, që ishte nisur me bindjen “vdekje ose liri” dhe me kauzën “bashkim me Shqipërinë”. Nëse kjo liri do të varej vetëm nga UÇK-ja, ajo vështirë se do të arrihej, por sigurisht që pa UÇK-në ajo as që mund të imagjinohej. Ishte pastaj Masakra e Reçakut (masakrimi i 45 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999), por edhe masakrat e tjera kundrejt civilëve dhe eksodi serb mbi shqiptarët (që përzuri gati 1 milion shqiptarë nga vatrat e veta), që e shtyn NATO-n të bëjë sulme të armatosura ndaj caqeve ushtarake serbe. Këto sulme filluan më 24 mars 1999 dhe përfunduan me Marrëveshjen e Kumanovës (10 qershor 1999), me ç’rast Serbia u tërhoq nga Kosova dhe ajo u shpall protektorat ndërkombëtar.

Dhe, sigurisht, që aktorët e rinj të Kosovës së rezistencës do të jenë ata që e bënë luftën e armatosur: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe shumë të tjerë, që të shpërndarë nëpër parti politike, i tipizuan vitet e Kosovës pas konfliktit të armatosur. Ata erdhën në skenë si antipod i pacifizimit të Rugovës dhe përkushtimin e tyre për rezistencë e kurorëzuan me suksesin e arritur në luftë.

 

Kosova e pavarësisë

 

Klasa politike e dalë nga lufta, e kombinuar në pushtet me LDK-në e Ibrahim Rugovës (që vdiq më 21 janar 2005), në vitet e pas-luftës zhvillonte betejë të ashpër për pushtet, gjithë kjo e arsyetuar edhe me synimin për shpalljen e pavarësisë. Gjatë kësaj kohe u zhvilluan edhe bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, nën ndërmjetësimin e Marti Ahtisarit (politikan finlandez), i cili në fund e krijoi të a.q. Plani i Ahtisarit, që e mundësoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Shkuar në perspektivën e kritereve tipizuese të këtij teksti, LDK-ja – pas vdekjes së Ibrahim Rugovës – arriti të jetë e fuqishme për aq kohë sa e mbajti gjallë shtytja e frymës së besimit mbi mitin “Rugova”. Sipas shembullit të shigjetës që del nga harku dhe shkon aq lart e aq larg sa e ka fuqinë e shtyrjes, aq pati jetëgjatësi edhe klasa politike e dalë nga lufta. Më shumë se kaq UÇK-ja nuk mund ta shtynte.

Personazhet e kësaj periudhe janë sigurisht figurat e përmendura të UÇK-së, si dhe disa eksponentë të LDK-së, si Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa e ndonjë tjetër më pak i rëndësishëm.

Përkundër suksesit të pamohuar për rezistencë dhe pavarësi, kjo klasë politike – viteve të fundit – në vend të fuqizimit të shtetëndërtimit të Kosovës, sikur u lodh dhe u harxhua. Pas pavarësisë, klasa politike LDK-së dhe e “partive të luftës” nuk ka dhënë më prova të fuqishme se ka kauzë që të mbetet në skenë, ndërsa nuk kanë reshtur aferat për korrupsion dhe abuzim të tyre me pushtetin. Kështu sot kjo skenë ka ndryshuar: LDK-ja, praktikisht, ka mbetur pa lider, ndërsa liderët e PDK-së tashmë janë të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

 

Kosova e sovranitetit

 

“Kosova është shtet i pavarur, por nuk është sovran”, ka qenë një deklaratë e shpeshtë e figurës që e tipizon më saktë këtë periudhë.

Albin Kurti, si aktivist është i njohur që nga protestat studentore të fillimviteve të ’90-ta, ndërsa në skenën politike është futur më 2005, duke e themeluar Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që erdhi në skenë – si një organizatë antiestabilishment – në sajë të kundërshtimit të Planit të Ahtisarit, përmes protestave të shumta, dikur në shesh, e pastaj edhe në Kuvendin e Republikës, derisa u faktorizua për të dalë në ballë të shtetit.

Sot shumëkush e konteston mënyrën se si Albini është futur në skenën politike, duke ia thumbuar veçmas mjetet me të cilat ai e ka kundërshtuar politikën e Kosovës në ato vite, por – duke parë se ai tashmë synon të paraqitet si një politikan që ato pamje i kujton vetëm në fotografi dhe ndoshta edhe nuk dëshiron t’i kujtojë shpesh – mbase mund të shpjegohet se ai e kishte zgjedhur atë rrugë i bindur se nuk kishte mundësi tjetër të bëjë vend në një skenë politike të mbushur me aktorë të fuqishëm, por edhe të fortë. Ne e dimë se në Kosovë kanë parakaluar edhe parti të tjera, të personaliteteve intelektuale, me ide të reja dhe shumë të aftë, por që nuk kanë arritur ndonjë sukses relevant. Prandaj, shtyrja “e dhunshme” e Albinit për hapësirë në këtë skenë mbase mund të shpjegohet vetëm me këtë arsye.

Sido që të jetë, Albin Kurti, pas disa përpjekjeve për fitore në zgjedhje, madje edhe të suksesshme (2017 dhe 2019), vetëm në zgjedhjet e 14 shkurtit pritet të vijë me fitore të plotë, për ta filluar periudhën që në këtë tekst e kemi quajtur “Kosova e sovranitetit”, duke nënkuptuar me të se vitet që pasojnë janë sfida serioze e Republikës së Kosovës për t’u etabluar si shtet.

Këtu duhet thënë se Kurti u ngrit në skenë si antipod i politikës pacifiste dhe “pa gjak të ri” të LDK-së, por edhe si antipod i politikës së konsumuar dhe pa ofertë të partive “të luftës”. Shto këtu edhe kritikën e ashpër që ai ua ka bërë atyre për korrupsion, keqmenaxhim të shtetit, abuzim me resurset shtetërore dhe politizim të drejtësisë, e veçmas për paaftësi në mbrojtjen e interesave shtetërore karshi presionit të Serbisë (“Demarkacioni” dhe “Zajednica”), por edhe të njohjes dhe integrimit të Kosovës, të gjitha këto e kanë ndërtuar profilin e tij politik të një politikani të moderuar e të ditur, që di të bëjë kritikë dhe di që atë ta kthejë në kapital politik.

Duke u kursyer nga glorifikimet patetike, nuk është kurrfarë hiperbolizimi nëse thuhet se Albini është tipi i politikanit që politikën e interpreton me koncepte. Që nga emri i partisë VETËVENDOSJE!, që është koncept themelor i sovranitetit në shkenca politike, ai mund të jetë politikani që më mirë se çdokush tjetër në Kosovë i njeh dhe i interpreton nocionet politike, si: “e majta”, “e djathta”, “neoliberalizmi”, “social-demokracia”, “shteti”, “kombi”, “sovraniteti” etj., që – pos tjerash – e kanë intelektualizuar edhe skenën politike të Kosovës, gjë që në këto zgjedhje e ka ndikuar edhe përfaqësimin e partive të tjera. Figura e Albin Kurtit e ka ngritur pragun e të qenit politikan dhe ka vendosur një standard që politikanët e tjerë e kanë vështirë ta ndjekin ose ka pak prej atyre që mund të pretendojnë për atë standard. Për të qenë një politikan i suksesshëm në Kosovë, sot nuk mjafton të jesh “i luftës” ose ndonjë “veteran i politikës”, por kjo nënkupton një formim intelektual mbimesatar dhe një aktivizim të dalluar shoqëror. Kjo është një fushë në të cilën pak politikanë të Kosovës mund të luajnë dhe prandaj Albini në këto zgjedhje përbën përjashtim – andaj duket sikur i ka nxjerrë të tjerët prej garës. Nëse gjërat zhvillohen mbarë, ky standard do të jetë i dobishëm edhe për skenën e ardhme politike të Kosovës dhe jo vetëm.

Si njeri që e ngërthen në vete rezistencën civile (protesta), rezistencën aktive (sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së) dhe artikulimin kritik politik (nga viti 2005 e këndej), ai vjen në skenën politike si fitues, por edhe me bagazh të pakontestueshëm aktivist, politik, patriotik dhe organizativ. Kjo mund të mos jetë  e rëndësishme në shtete të konsoliduara, por në Kosovën e paraqitur në krye të këtij teksti, është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Një gjë tjetër që bën përshtypje në këto zgjedhje është se Albin Kurti praktikisht nuk ka kundërshtar politik. Madje, siç duket, jo vetëm në këto zgjedhje. Mund të jetë e rastësishme ose jo, por arrestimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, si dhe përjashtimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja, thjesht ia kanë krijuar Albinit një skenë ku nuk ka më kundërshtarë realë. Edhe kandidati i vetëm që mund ta konkurronte Albinin, Vjosa Osmani, tashmë ka hyrë në listë të VV-së dhe ajo mund ta përfundojë karrierën e saj, më së shumti, si presidente e Kosovës, por edhe vetëm si deputete ose ministre. Skena e këtillë, nëse e vështrojmë më hollësisht, vërtet i ka krijuar Kurtit një penallti në golin pa portier dhe e ka bërë atë protagonist të viteve të ardhshme të skenës politike të Kosovës, por njëherazi ai do të duhet t’i marrë vendimet më të rënda dhe më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Si përfundim, në këtë pjesë mund të themi se Albin Kurti është në këtë pozitë pikërisht për shkak të qëndrueshmërisë së tij dhe mosdorëzimit në kauzën e tij. Ai është shembulli më eklatant i politikanit që e mbron kauzën e vet me besim gati fanatik dhe, madje, edhe pa argumente empirike, por që kjo në fund t’i shpërblehet me sukses. Dhe, fati u buzëqesh atyre që besojnë në kauzën e tyre.

Përveç kësaj, duke e trazuar status quo-në e kënetës moçalike të skenës politike kosovare, ai është imponuar si protagonist i skenës dhe si i pari në dekadën e re të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Si krijues i fushës së re të politikëbërjes në Kosovë, kur edhe nga ndërkombëtarët është pranuar si partner kredibil, edhe “Kosovën e sovranitetit” e ka në dorë pikërisht ai.

 

Sfidat e sovranitetit

 

Përkundër parashikimeve dhe konsideratave që i kemi sot për të, Albin Kurti – që vjen në skenë si një lider i fuqishëm i Kosovës së sovranitetit – do të duhet të dëshmojë se ka kapacitet të përballet me problemin e statusit të Kosovës dhe mbylljen e bisedimeve me Serbinë, ndërsa kjo duhet të bëhet në kohën kur kemi një “Perëndim të përçarë”, që dëshiron ta marrë Serbinë me “t’mirë”, kur kemi një Kinë që po ngjitet në vendin e parë të ekonomisë botërore dhe një Rusi gjithnjë e më të konsoliduar. Në këso rrethana Kurti do të duhet të jetë një lider që e mbyll çështjen e statusit të Kosovës, një temë që sigurisht do të kërkojë një kompromis të dhimbshëm.

Albin Kurti duhet të dëshmojë edhe se mund ta depolitizojë drejtësinë, por edhe se di ta përdorë mekanizmin shtetëror të sigurisë me maturi dhe pjekuri. Kjo është një sfidë në të cilën akoma shfaqen pikëpyetje. Prandaj ai do të duhet ta bindë Kosovën se policia dhe shërbimet e tjera të sigurisë do të jenë në interes të Kosovës e jo të partisë që ai përfaqëson.

Një pikëpyetje që opinioni e shtron, mbase edhe me të drejtë, është edhe se sa mund të jetë Albin Kurti insistues në ideologjinë e tij të majtë dhe a ka gjasa të rrëshqasë në ndonjë tip autoritarizmi a totalitarizmi?! Duke e njohur nga afër, nuk dua ta besoj, por është detyrë e tij që ta dëshmojë të kundërtën.

Një moment shumë i rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi, është se si do ta prodhojë ai “shtetin zhvillimor”?! Ndonëse ekziston një bindje, edhe nga përvoja, se ai nuk e toleron korrupsionin e nepotizmin, kjo nuk e nënkupton detyrimisht edhe zhvillimin. Një Kosovë që për njëzet vite ka mbetur gati pa prodhimtari vendore dhe me shumicë mirëmbahet nga remitencat, do të jetë e vështirë të japë rezultate të shpejta zhvillimore. Ndërkaq, zhvillimi ekonomik mund të jetë një test themelor për reputacionin e tij dhe jo vetëm të tij personalisht.

Megjithëse u dëshmua vizionar në anën që mbajti për zgjedhjet në SHBA, atij i mbetet akoma punë që të dëshmojë se aleanca shqiptare me SHBA-në nuk është lëkundur fare. Kjo, sigurisht, nënkupton edhe gatishmëri që të gëlltiten kërkesat e Uashingtonit, që ndonjëherë mund edhe mund të mos e kenë shijen e preferuar nga ai. Por, në kohën kur SHBA-ja mbase dëshiron ta tejkalojë status quo-në e Kosovës, Albini duhet të tregojë gatishmëri që dizajnin përfundimtar të kësaj teme ta bëjë në koordinim me amerikanët.

Një detyrë tjetër, po ashtu shumë e rëndësishme, që e pret atë, është marrëdhënia e tij me Shqipërinë dhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Sa i takon Shqipërisë, do të ishte gabim fatal nëse fërkimet nga distanca me kryeministrin Rama (nëse ai i fiton zgjedhjet e prillit atje) shndërrohen në ndëshkim për mundësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare. Në vitet kur pritet ndonjë union Shqipëri-Kosovë ose ndonjë formë tjetër e bashkëpunimit/bashkimit, më së paku pritet që egocentrizmi të jetë determinues i historisë së re shqiptare.

E kur flasim për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, besoj se Albini e di se sa më shumë që e fuqizon afërsinë (për të mos thënë ndikimin) me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë, aq më shumë rritet pesha e tij në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Thënë ndryshe, sa më shumë që e tërheq harkun, aq më larg e hedh shigjetën andej. Prandaj ai do të bëjë çmos që të krijojë aleanca të suksesshme me partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që të japë alternativë të re për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë shtet dhe, njëherazi, të japë mesazhin se ai është një faktor stabiliteti edhe përtej Kosovës. Natyrisht, kjo nuk do të duhej të nënkuptonte paternalizëm, por më shumë partneritet dhe bashkërendim për interesat strategjike shqiptare në Ballkan

Si përfundim, mund të themi se derisa klasa politike e deritanishme politike ta marrë veten dhe ta kuptojë “lojën e re”, Albini duhet të jetë i gatshëm t’i marrë vendimet më të mëdha për sovranitetin e Kosovës, qoftë ai një shtet i konsoliduar, i integruar dhe i njohur ose edhe një bashkim a unionin me Shqipërinë.

Albini duhet ta dijë se krejt shpresat janë varur tek ai. Andaj, atij nuk i falen gabimet. Sepse, pastaj shtrohen pyetjet: kush mund të vijë pas tij? dhe si mund t’i besohet përsëri dikujt tjetër në këso përmasa? Në rast të ndonjë dështimi, nuk do të jetë më i rëndësishëm fati tij politik, po do të jetë shumë e vështirë të besohet më në çfarëdo opsioni politik. Kjo, vërtet, e ngarkon me barrë të rëndë, por nuk është se ai nuk e ka kërkuar atë barrë.

Në kuptimin politik, liderët e tillë, kur qëllojnë të mbarë, bëjnë vepra kolosale dhe e ndryshojnë historinë, ndërsa në kontekstin e krijuar tashmë, Albini nuk ka arsye të mos jetë formula e Kosovës së sovranitetit.

*Marrë nga SHENJA