Alarm për ujin në Vallandovë: Analizat zbuluan nivel të rritur të arsenikut, qytetarëve u kërkohet të mos e pinë

Banorët e Vallandovës janë paralajmëruar të mos e përdorin ujin nga ujësjellësi i qytetit për pije, pasi analizat laboratorike kanë treguar prani të rritur të arsenikut.

Nga Ndërmarrja Publike “Komunal Servis” – Vallandovë njoftuan se rezultatet e analizave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik në Shkup kanë konstatuar nivel të rritur të arsenikut në ujin e pijshëm nga ujësjellësi i qytetit.

Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet që ujin të mos e përdorin për konsum derisa të dalin rezultate të reja që do të konfirmojnë sigurinë e tij. Uji aktualisht mund të përdoret vetëm për qëllime teknike.

Nga ndërmarrja kanë bërë të ditur se po ndërmerren masa dhe po kryhen analiza shtesë në bashkëpunim me institucionet kompetente, ndërsa qytetarët do të informohen për çdo rezultat të ri dhe rekomandim të mëtejshëm.

Rasti i Vallandovës vjen në një periudhë kur siguria e ujit të pijshëm është kthyer në një shqetësim të madh publik pas problemeve të fundit me furnizimin me ujë në disa qytete të vendit.