Alarm në aeroporte: Sistemi i ri i BE shkakton vonesa masive

Sistemi i ri i kontrollit të BE sjell probleme në aeroporte pikërisht në sezonin e pushimeve. Pasojat ndihen qartë: radhë të gjata në kontrollet kufitare, vonesa dhe pasagjerë që humbasin fluturimet e tyre.

Sistemi i ri kufitar i BE-së, EES – Entry/Exit System po sjell probleme në aeroporte. Për të forcuar kontrollin në kufijtë e jashtëm, Brukseli ka futur një procedurë të re dixhitale për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve joanëtarë të BE-së. Që nga hyrja e plotë në fuqi në prill, shtetasit e vendeve jashtë BE-së duhet të regjistrojnë të dhëna biometrike, si gjurmët e gishtërinjve dhe skanimin e fytyrës, sa herë që hyjnë ose dalin nga BE. Aeroportet dhe kompanitë ajrore po shtojnë tani presionin ndaj Brukselit, pikërisht, sepse sistemi i ri Entry/Exit (EES) shkakton probleme serioze në pikat kufitare – vonesa dhe pasagjerë që humbasin fluturimet e tyre.

Procedura dixhitale synon të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta dhe të rrisë sigurinë kufitare. Në praktikë, megjithatë, sistemi ka sjellë radhë të gjata në kontrollet kufitare.

Kërkohet pezullimi i përkohshëm gjatë sezonit tëpushimeve

Aeroportet dhe kompanitë ajrore paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej gjatë sezonit veror. Sipas përfaqësuesve të industrisë së fluturimit , në orët e pikut pritjet mund të zgjasin me orë të tëra. Kompani ajrore si Ryanair kritikojnë sistemin, duke argumentuar se ai nuk është ende i përgatitur për fluksin e madh të pasagjerëve. Ato kërkojnë që zbatimi i EES të mund të pezullohet përkohësisht në rast mbingarkese të aeroporteve. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i kompanisë ajrore easyJet i ka përshkruar radhët e gjata në pikat kufitare si “plotësisht të papranueshme”.

Ndërsa Komisioni Evropian vazhdon të mbrojë përfitimet e sistemit për sigurinë dhe mbështet zbatimin e tij, po shtohen thirrjet që EES të pezullohet përkohësisht gjatë muajve me numrin më të lartë të udhëtarëve. Nëntë shtete evropiane kërkojnë tani edhe zgjatjen e përjashtimeve të përkohshme, duke argumentuar se Bashkimi Evropian nuk është ende gati për zbatimin e plotë të kontrollit të ri elektronik të hyrjeve dhe daljeve. Në një letër të përbashkët, Belgjika, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Malta, Holanda, Portugalia dhe Zvicra kërkojnë që rregulloret e rasteve emergjente të mbeten në fuqi edhe pas 6 shtatorit.

Edhe pse mbështesin qëllimin e sistemit të ri EES për forcimin e sigurisë kufitare, ministrat e vendeve përkatëse kërkojnë më shumë fleksibilitet në zbatimin e tij. Ata insistojnë që masat emergjente dhe mundësia për pezullimin e përkohshëm të kontrolleve të vazhdojnë edhe përtej afatit aktual, për të shmangur kaosin në aeroporte dhe vonesat për udhëtarët./DW

© SYRI.net