Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.
Mirëpo, përkundër që pozita e vlerësojë si një hap pozitiv këtë marrëveshje, nga opozita u kritikua shumë. Sipas këtyre të fundit, Kosova ka humbur një rast të rëndësishëm që të përfitojë njohje nga Serbia.
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se marrëveshja e Uashingtoni edhe pse nuk është e përkryera, është më e mira e mundshme, dhe një hap drejt arritjes së njohjes reciproke.
“Marrëveshja e arritur në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është e përkryera, por është e mira e mundshme, dhe është nja hap i madh drejtë arritjes së marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke në mes dy vendeve, duke përjashtuar çfarëdo planesh e projektesh të tjera që preknin substancën e funksionimit të shtetit të Kosovës dhe projekteve të tjera siç ishte shkëmbimi i territoreve. Në negociata nuk mund të pretendosh për të arritur 100 për qind, pasi nuk do të kishte fare e nevojshme që të negociosh me palën tjetër”.
Haziri ka fjalë të mira edhe kreun e qeverisë së Kosovës, ku sipas tij, ky i fundit në Shtëpinë e Bardhë arriti të tregoj një lidership të vërtetë, të përgatitur profesionalisht dhe politikisht, me legjitimitet të plotë dhe vetëbesim, gjë që sipas analistit, i ka munguar Kosovës për një kohë të gjatë.
“Marrëveshja është në interes të Kosovës dhe kjo është meritë e kryeministrit Hoti, i cili guximshëm iu qas këtij procesi mjaftë kompleks të dialogut me Serbinë, po ashtu tregoi një lidership të vërtetë, të përgatitur profesionalisht dhe politikisht, me legjitimitet të plotë dhe vetëbesim, gjë që i ka munguar Kosovën për gjithë këto vite në procesin e dialogut të tejzgjatur me Serbinë. Po ashtu si shumë pozitive duhet parë edhe ndërmjetimin amerikan, të presidentit Tramap, me çka Kosova dhe Ballkani në tërësi janë fuqishëm brenda agjendës amerikane dhe kjo do të thotë shumë për Kosovën”, u shpreh Haziri.
Kurse, sa i përket akuzave nga ana e Kurtit dhe Veselit për delegacionin e Kosovës, për Hazirin këto erdhën pasi dy kryetarët e dy partive opozitare nuk ishin pjesë e kësaj ngjarje në Uashington.
“Ndërsa sa i përket deklaratave të partive opozitare, janë deklarata që janë të pritshme të cilat më shumë bëhen për marketing politik në tentativat e tyre për ta zbehur suksesin e kryeministrit Hoti, për shkak të rivalitetit politik, se sa në të vërtetë ato deklarata kanë përmbajtje. Përtej kësaj, LVV-ja dhe PDK-ja, shfaqën frustrimin e tyre, jo me përmbajtjen e marrëveshjes, por me faktin se ato nuk ishin pjesë e kësaj ngjarje në Uashington, edhe pse kryeministri Hoti i kishte ftuar që të bashkohen në delegacionin përfaqësues të Kosovës në takimin e Uashingtonit”, ka thënë në fund, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.