Aktivizohet klauzola për blerjen përfundimtare, Asllani është futbollist i Interit

Interi ka arritur fitore në ‘Derby della Maddonina’ pasi ka mposhtur rivalin lokal Milanin me rezultat minimal 1-0.

Në këtë sfidë u inkuadrua në fund të ndeshjes edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, që për të ka qenë një ndeshje e veçantë.

Mesfushori shqiptar ka qenë i huazuar te Interi nga Empoli, me Neroazzurët që tani e kanë bërë të vetin Asllanin.

Me fitoren e arritur ndaj kuqezinjve është plotësuar një nga pikat e marrëveshjes mes Interit dhe Empolit për blerjen përfundimtare të kartonit të reprezentuesit shqiptar.

Pika e parë e marrëveshjes parashikonte shlyerjen e detyrueshme të mesfushorit shqiptar pas pikës së parë të fituar në kampionat, duke filluar nga 2 shkurti 2023.

20-vjeçari iu bashkua Interit në formë huazimi për 4 milionë euro nga Empoli e tashmë Interi është i detyruar të paguajë edhe 10 milionë plus 2 milionë bonuse për kartonin e tij.

Asllani këtë edicion ka zhvilluar 19 ndeshje në të gjitha garat për Interin, por shumicën nga to i inkuadruar nga banka rezervë duke mos arritur ende të shënoj ose asistoj.