Aksion para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, kundërshtohet “Ballkani i Hapur”

Organizata Lëvizja për Demokraci mbajti një aktivitet simbolik para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, përmes së cilit ka kundërshtuar nismën e ashtuquajtur mini-shëngenin ballkanik, tashmë zyrtarisht me emrin “Ballkani i Hapur”.

Anëtarë të kësaj organizate mbanin në duar banerin që kishte fotografi nga lufta e fundit në Kosovë, e që shiheshin krimet serbe mbi popullsinë civile.

Kryetari i kësaj organizate, Mexhid Ramusa, tha para mediave se kundërshtojnë çdo nismë të tillë, pasi Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet e kryera në Kosovë.

Ai tha se janë përkujdesur që kryeministrit shqiptar, Edi Rama, t’i përkujtojnë lidhjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me kasapin e Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Për të është e pakuptimtë sesi kryeministri Rama synon të përfshijë edhe Kosovën në një mini-shengen ku merr pjesë edhe Serbia.

“Në bazë të këtij aktiviteti kemi shprehur pakënaqësitë tona ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për lidhjet e tij me Vuçiqin, kriminelin serb që ka bërë krime në Kosovë dhe ne ja kemi prezantuar të gjitha faktet, lidhjet e tij me Millosheviqin, dhe duke kundërshtuar nismën e tij për mini-shengenin ballkanik”, tha ai.

Ramosaj theksoi se e ardhmja e Kosovës është drejt Bashkimit Evropian dhe jo “Ballkani i Hapur”.

“E ardhmja jonë është me qenë kah Bashkimi Evropian dhe ShBA. Për neve është e pakuptimtë që të hyjmë në një mini-shengen ku është edhe Serbia, e cila na ka vrarë, na ka masakruar dhe ka kryer gjenocid mbi popullatën civile… Ne e kundërshtojmë edhe dialogun pa kërkuar falje Serbia ndaj Kosovës”, shtoi ai.