Aksidenti në Serbi, MPJD: U lënduan 16 udhëtarë

16 udhëtarë u lënduan si pasojë e aksidentimit të autobusit nga Kosova në Krushevc të Serbisë.

Kështu bëri të ditur Ministria e Jashtme dhe Diasporës, përcjell Klankosova.tv.

MPJD bën të ditur se pas marrjes së tretmanit mjekësor ata e kanë vazhduar udhëtimin drejt Sllovenisë, me përjashtim të një udhëtareje e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat.
Ministria e Jashtme e Kosovës njofton se në autobusin e aksidentuar ishin 78 udhëtarë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin transit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor me përjashtim të një udhëtareje, e cila me vetëdëshirë është në pritje të transportit privat”.

“MPJD-ja me të pranuar informacionin, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra jonë Ndërlidhëse kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

“Në funksion të ofrimit të asistencës dhe përkujdesjes institucionale, zyrtarët tanë i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore”.

“Nga komunikimi me Qendrën Spitalore ku ishte ofruar ndihma e parë, si dhe nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve. MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”.