Akoma nuk ka një epilog rasti me shtypjen për vdekje të 70 vjeçarit

Dy javë nga goditja fatale me veturë e 70 vjeçarit në vizë bardhat e udhëkryqit të lagjes Fushë-Tophane, akoma nuk ka një epilog konkret se kush e shtypi me makinë dhe e hodhi ne qorrsokak, shkruan Alsat.

Nga Prokuroria Publike thonë se kanë siguruar prova të mjaftueshme materiale për rastin e vdekjes së Ahmed Kokicës, duke përfshirë edhe kamerat e sigurisë nga vendngjarja e ndodhur mesnatën e 12 majit.

“Ministria e Punëve të Brendshme me datë 16.05 ka dërguar njoftim në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për ngjarjen për të cilën jeni duke u interesuar. Prokurori Publik kompetent menjëherë ka lëshuar urdhër për sigurimin e provave materiale me qëllim të vërtetimit të fakteve në rastin, duke përfshirë sigurimin e video-incizimeve nga kamerat e sigurisë në vendin e caktuar. Urdhrat po zbatohen”, thonë nga Prokuroria Publike.

Deri më tani dyshohet se makina që shkeli 70 vjeçin ka qenë tip furistrade nga që dëmtimet e të ndjerit kanë qenë në pjesën e mesme të trupit, ku dyshohet se është goditur me shpejtësi ndërmjet 80-90kmh.

Avokati i familjes Kokica tha se Institucionet relevante duhet sa më shpejtë të zbardhin rastin, nga që shtypja me makinë ka ndodhur rreth orës 22:00 dhe duhet të ketë pasur edhe dëshmitarë okularë.

“Vlerësoj se qytetarët do të ndihmojnë, por të jetë sipas ligjit të mblidhet materialet relevante nga kamerat e sigurisë nga shtëpi e ndërtesa të caktuara dhe nga kamerat e ‘Safe City’ Kjo bëhet me dhënie urdhrit të Gjykatës penale përmes kërkesës së Prokurorisë publike për të mbikëqyrur kamerat a kanë filmuar diçka që do të ndihmonte në zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike”, u shpreh Asmir ALispahiq, Avokat.

Familjarët kërkojnë nga të gjithë ata që kanë parë me sy apo përmes kamerave të bashkëpunojnë me Prokurorinë.

“Kjo është pak më e rëndë se e kanë gjuajt diku tjetër, tek familja kjo është mërzia më e rëndë. Do ti lusja të gjithë ata çfarë kanë parë rreth ngjarjes nëse kanë ndjenja shpirtërore të japin një informacion ta ndihmojmë rastin. Le të lajmërohet le të kërkoj falje, nga ana jonë nëse edhe disa ditë lajmërohet ka mundësi të ja falim si familje, por pas andej nëse kapet prej institucioneve apo policisë ne nuk i garantojmë asgjë”, theksoi Shemun Ameti, Familjar.

Rreth katër orë i ndjeri ka vuajtur lëndimet e rënda trupore në rrugicën “Ronald Regan”, ku dyshohet se është hedhur nga kryerësit e veprës deri sa fqinjët kanë thirrur policinë dhe autoambulancën.

Analizat e bëra mjekësore nuk gjanë gjetur asnjë promilë të alkoolit në gjak siç aludohej paraprakisht.

I ndjeri po kthehej nga puna në shtëpi. Autopsia e mjekësisë ligjore ende nuk ka bërë gati rezultatet, të cilat duhet t’i dorëzohen organit hetues. I dëmtuari Kokica ndërroi jetë në spital pas 6 ditësh në Koma./ Alsat.mk