AKI Kumanovë: Tabelat pa shqipen, provokim dhe mesazh për banorët e fshatit Çerkez

Këshilltarët komunalë të AKI-së kanë reaguar ndaj dukuruisë së mosrespektimit të gjuhës shqipe respektivisht parimit të dygjuhësisë nga ana e autoriteteve kompetente të Kumanovës dhe të atyre të pushtetit qendror: Ja reagimi i AKI-së lidhur me këtë problem:
Reagim i Këshilltarëve të AKI-së në Kumanovë
Kumanova për një kohë të gjatë është konsideruar si një nga komunat që ka respektuar parimin e dygjuhësisë dhe bashkëjetesës mes komuniteteve. Fatkeqësisht, kohët e fundit po shohim veprime që tregojnë një tendencë të kundërt dhe që po e zbehin këtë frymë. Rasti më i fundit është vendosja e një tabele të re në hyrje të fshatit Çerkez, një vendbanim me popullësi pothuajse 100% shqiptare, ku mbishkrimi është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.
Ky veprim nuk mund të shihet ndryshe veçse si një provokim i panevojshëm dhe një mesazh që cenon respektin ndaj identitetit dhe gjuhës së banorëve të këtij fshati. Kjo është vazhdimësi e një politike që shumë qytetarë e shohin si përpjekje për të minimizuar praninë dhe simbolikën shqiptare në hapësirat publike. Përgjegjësinë për këto veprime e mbajnë drejtuesit aktualë të komunës, me në krye Maksim Dimitrievskin së bashku me vazalët e tij në pushtetin lokal dhe qendror, të cilët në vend se të forcojnë bashkëjetesën dhe barazinë, po krijojnë ndarje dhe pakënaqësi mes qytetarëve.
Kërkojmë urgjentisht që kjo tabelë të hiqet dhe të zëvendësohet me tabelë dy gjuhësore në përputhje me rregullativën ligjore. Respektimi i dygjuhësisë nuk është privilegj, por detyrim ligjor dhe moral në një shoqëri multietnike. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë parim përbën hap prapa për demokracinë, barazinë dhe respektin e ndërsjellë.