Ajo telefonatë me Messin, ja pse Lautaro është bindur për t’iu bashkuar Barçës

Nga Spanja vazhdojnë të vijnë konfirmime të tjera për dëshirën e Lautaro Martinezit për t’iu bashkuar Barcelonës, skuadër ku do të mund të luante përkrah bashkëkombësit të tij, Lionel Messi.

E përdtishmja spanjolle AS, shkruan se muajin e kaluar ka ndikuar një faktor shumë i rëndësishëm për t’i futur në kokë Lautaros idenë për t’u veshur “blaugrana”: një telefonatë me Lionel Messin.

AS sugjeron se ka qenë një komunikim sugjestionues dhe emocionues. Të dy lojtarët kanë diskutuar për mundësinë që të luajnë së bashku, duke kujtuar takimet e para që kanë zhvilluar në kombëtare.

Messi e Lautaro e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin, diçka që ka lindur spontanisht, aq sa nuk e kanë ndërprerë në asnjë moment komunikimin, që kur rrugët e tyre u kryqëzuan në përfaqësuesen e Argjentinës në vitin 2018.

Veç të tjerash, disa ish-shokë skuadre të Lautaros të skuadra e të rinjve të Racing kanë treguar se në vitin 2014 Martinez kishte thënë se një ditë do të luante krah Lionel Messit.

Ndoshta mund të ndodhë vërtet. Sigurisht nëse Interi dhe Barcelona arrijnë marrëveshjen ekonomike, duke parë se “blaugranat” nuk kanë ndërmend ta paguajnë të plotë klauzolën e largimit të sulmuesit.