“Ai gjithmonë ka shënuar kundër meje”, Buffon emëron sulmuesin që i ka shkaktuar më shumë dhimbje në karrierë

Portieri legjendar italian, Gianluigi Buffon e ka emëruar yllin portugez, Cristiano Ronaldon, si sulmuesin që i ka shkaktuar më shumë dhimbje në karrierën e tij shumëvjeçare.

Buffon njihet si njëri nga portierët më të mëdhenj në histori, pasi ka fituar çdo trofe ekipor me Juventusin dhe PSG-në, përveç Ligës së Kampionëve, ndërsa ka fituar edhe Kupën e Botës me Italinë.

Megjithatë, legjenda italiane ka pasur në karrierën e tij një sulmues i cili ka shkaktuar gjithmonë dhimbje me lëvizjet dhe golat e tij.

“Në kohën tonë, Cristiano Ronaldo. Ai gjithmonë shënonte kundër meje. Është e pabesueshme. E pashë atë të bënte lëvizje të mira gjatë ndeshjeve që nuk i kisha parë kurrë më parë. Mund të shihni se ai kishte atë lloj energjie, si rezultat të vendosmërisë së tij”, ka thënë fillimisht Buffon për The BSMT.

“Ndritshmërinë me të cilën e pashë të bënte gjeste të caktuara gjatë një ndeshjeje, nuk e kam parë tek asnjë lojtar tjetër. E patë qartë këtë energji “të poshtër”, e cila megjithatë ishte fryt i kësaj dëshire për të fituar me çdo kusht”.

Pasi i ka pranuar 10 gola nga Ronaldo, Buffon kujton veçanërisht goditjen me gërshërë që e lë pa frymë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të vitit 2018.

“Pas 25 sekondash zhgënjimi të madh, fillova të mendoj për bukurinë e gjestit të tij që bëri. Dhe më pas, pak më vonë, ai kaloi pranë meje dhe e pyeta: “Cristiano, sa vjeç je?” Dhe ai tha: ‘Nuk është keq për një djalë 33-vjeçar, apo jo?’ Dhe ne të dy filluam të qeshnim”, përfundoi italiani. /Telegrafi/