Delegatët e Kongresit të IV zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim që u mbajt sot në Shkup në mënyrë unanime zgjodhën që kryetari i deritanishëm i partisë, Ali Ahmeti të rizgjidhet kryetar edhe për katër vitet e ardhshme.
Ahmeti gjatë fjalimit pasi u rizgjodh kryetar i përgëzoi ekipet që punuan në përgatitjen e këtij kongresi si dhe në mbarëvajtjen e punimeve brenda Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjen e këshillave vendorë.
Më 12 prill, shtoi ai, do ta kemi edhe sprovën e parë, ku BDI do ta vulosë edhe fitoren e radhës.
“Siç e kemi dëshmuar për 18 vite edhe kjo që vjen më 12 prill do të jetë fitorja e radhës e partisë, si subjekt dhe lëvizje që ka ditë të mbajë balancet politike. Më 12 prill do të fitojnë qytetarët e RMV-së, sepse kemi ditur të balancojmë dhe të përballemi me vështirësitë më të mëdha. Ky kongres vulos fitoren e radhës, fitoren nga më të rëndësishmet të BDI-së”, potencoi lideri i BDI-së.
Kongresi i IV i partisë filloi me prezentimin e rezolutave siç janë Integrimi konsensual, vetingu, punësimi dhe zhvillimi, jetesa cilësore, rinia në vend, të cilat u miratuan njëzëri nga delegatët e Kongresit.
Gjithashtu gjatë Kongresit, Valdet Xhaferi prezentoi propozim ndryshimin e statutit të BDI-së, si dhe e prezentoi edhe organin e ri i cili është Kongresi i vazhdimësisë i cili përbëhet nga 1/3 e delegatëve.
Në kongres morën pjesë personalitete eminente nga vendi dhe jashtë./TS