Ahmeti “presidentin shqiptar” e quante “dasëm pa nuse”, tani kërkon “kryeministër shqiptar”, asnjë parti s’e mbështetë

BDI-ja u lëshua në ofensivë ndaj LSDM-së dhe VMRO-së, lidhur me mohimin e mundësisë për kryeministër shqiptar, kërkesë e shpalosur në prag të zgjedhjeve të 15 korrikut nga partia e Ahmetit. BDI thekson se do e realizojë me çdo kusht këtë ëndërr, madje, duke theksuar edhe unifikimin e shqiptarëve për të ashtuquajturën kauzë të saj.

Me një votë të fortë dhe të unifikuar shqiptare, partitë maqedonase do të duhet të pranojnë kërkesën tonë për një Kryeministër shqiptar, pasi asnjë prej tyre nuk do të ketë shumicën në Parlament pa mbështetjen e shqiptarëve – thonë nga BDI.

BDI-ja është duke e synuar kryeministrin vetëm me kushtëzimin për formimin shumicës, edhe pse nga partia e Zaevit, theksuan se me këtë kusht, BDI-ja nuk do të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Po ashtu, edhe VMRO-ja theksoi se ky kusht, i largon partitë për një koalicion të mundshëm, në vend që t’i afrojë. Për herë të pare, BDI-ja u shtriu dorën edhe partive të tjera shqiptare pavarësisht se deri dje i injoronte, përfshi edhe kandidatin shqiptar për president. Ahmeti viktimizohej në atë kohë duke theksuar se me 30 deputetë, shqiptarët s’mund të bëjnë dasmë pa nuse.

Do bëhem me ata shqiptarët e mëdhenj, se na paskan qit një shqiptar, kandidatë. E provuam neve, një here, dy here, dolëm… E pamë që nuk ka bereqet kjo punë. Sepse këto gjëra bëhen duke u marrë vesh, sepse ne vetë, vetëm si shqiptarë, me 30 deputetë, nuk bëhet. Duhet të jemi racionalë, të arsyeshëm. Dhe bëmë dasmë, a e dimë që nuse s’marrim – tha  kohë më parë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë cikleve të fundit zgjedhore, Ahmeti ishte kategorik dhe përjashtues ndaj forcave të tjera shqiptare, madje, në deklaratat e tij emocionale i kishte quajtur edhe horra.

Alsat