Ahmeti – Ludva: Përkrahja nga Çekia të fuqizohet gjatë presidencës së saj me Këshillin e BE-së

Shkup, 3 Mars – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali
Ahmeti sot ka realizuar takim me z. Jarosllav Ludva, ambasadorin e ri të
Republikës Çeke në Shkup.

Kryetari Ahmeti e ka uruar për zgjedhjen ambasador duke i dëshiruar
suksese në punë me shpresë që angazhimi i tij do të sjellë përforcim dhe
avancim të marrëdhënieve bilaterale mes të dyja vendeve.

Ahmeti dhe Ludva kanë diskutuar edhe për sfidat me të cilat përballen të
dy vendet dhe mbarë rajoni, si dhe ndodhitë e reja në skenën politike në
vend, rajon dhe krizën e luftës në Ukrainë, derisa të dy
bashkëbiseduesit kanë dënuar agresionin e Federatës Ruse ndaj territorit
sovran të Ukrainës.

Kryetari i BDI-së Ahmeti theksoi se përkrahja e vazhdueshme që e kemi
nga Republika Çeke në rrugën e integrimit pret që të fuqizohet edhe më
shumë gjatë presidencës çeke me Këshillin e BE-së, që pritet të fillojë
më 1 Korrik të këtij viti.

Republika Çeke gjithmonë ka theksuar faktin se forcimi i partneritetit
të para-anëtarësimit do të çojë në përmirësimin e lidhjeve
infrastrukturore mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe
në përforcimin e zbatimit të principit të qeverisjes së mirë.

Si njohës i mirë i politikës në rajon, ambasadori Ludva ka shprehur
kënaqësinë për mundësinë e dhënë që karrierën e tij të pasur diplomatike
ta vazhdojë tashmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.