(Fjalë përkujtimore në Akademinë komemorative kushtuar jetës dhe veprës se prof.dr. Razmiz Avdylit)
▪︎ Të nderuar anëtarë të familjes së profesor Ramiz Abdylit,
Të nderuar organizatorë të kësaj Akademie Komemorative,
Të nderuar të pranishëm, zonja e zotrinjë
Më lejoni që, me rastin e kësaj Akademie Komemorative kushtuar jetës dhe veprës së Prof. Dr. Ramiz Abdylit, të ndaj me ju disa kujtime dhe vlerësime për njeriun, pedagogun, studiuesin dhe intelektualin që pata fatin ta njoh nga afër.
▪︎ Kur kujtoj profesor Ramiz Abdylin, para syve më del figura e një njeriu të urtë, të ditur dhe fisnik, një intelektual që jetën e tij ia kushtoi arsimit, dijes dhe formimit të brezave të rinj.
▪︎ Kam pasur fatin që, qysh si nxënës i gjimnazit të Kumanovës, me profesor Ramizin të krijoj raporte shumë të afërta, raporte të cilat i ruajta dhe i kultivova edhe gjatë viteve të studimeve në Prishtinë.
▪︎ Prof. Ramizi i takonte asaj gjenerate të intelektualëve shqiptarë që arsimin e shihnin si mision jetësor. Ai ishte ndër pishtarët e parë të hapjes dhe jetësimit të paraleleve shqipe në Gjimnazin e Kumanovës, në një kohë kur arsimi në gjuhën shqipe kërkonte sakrificë, përkushtim dhe guxim qytetar.
▪︎ Përmes punës së tij të palodhur, ai kontribuoi në formimin e shumë gjeneratave intelektualësh, të cilët sot jetojnë dhe veprojnë jo vetëm në Kumanovë, por në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.
▪︎ Ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje te profesori Ramiz ishte karakteri i tij prej studiuesi dhe hulumtuesi të palodhur në kërkim të së vërtetës. Ai nuk kënaqej me të gatshmen, por kërkonte gjithmonë të depërtonte më thellë në thelbin e gjërave, duke i nxitur edhe të tjerët të mendonin në mënyrë kritike dhe të pavarur.
▪︎ Profesor Ramizi ishte edhe një pedagog i jashtëzakonshëm. Mënyra e tij e shpjegimit të mësimit i ngjante metodës së Sokratit. Ai nuk kënaqej me përcjelljen mekanike të ligjerimit, por, përmes pyetjeve dhe dialogut, aktivizonte të gjithë klasën, duke i nxitur nxënësit të mendonin, të arsyetonin dhe të arrinin vetë deri te përgjigjet. Në këtë mënyrë, ai nuk formonte vetëm nxënës që mësonin përmendësh, por të rinj që mësonin të mendonin me kokën e tyre.
▪︎ Edhe pse kanë kaluar 50 vite nga vitet e gjimnazit, unë e kujtoj ende një orë mësimi kur, pas një serie pyetjesh, profesor Ramizi na bënte të kuptonim vetë një ngjarje historike pa na e dhënë përgjigjen e gatshme.
▪︎ Kontributi i profesor Ramiz Abdylit nuk mbeti vetëm në auditorët e shkollës dhe universitetit. Përmes studimeve, librave dhe kërkimeve të tij të shumta shkencore, ai dha një ndihmesë të çmuar në ndriçimin e historisë kombëtare shqiptare, veçanërisht të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare. Me veprën e tij shkencore, prof. Ramiz Abdyli renditet ndër historianët e respektuar shqiptarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për studiuesit dhe brezat që do të vijnë.
▪︎ Koha e viteve ’70 dhe ’80 ishte një periudhë e vështirë për intelektualët shqiptarë. Ishte një kohë kur, po të shprehte dikush hapur bindjet e veta pluraliste dhe demokratike, rrezikonte të shpallej armik i shtetit, të largohej nga puna dhe, në shumë raste, të përfundonte edhe në burg.
▪︎ Sistemi i asaj kohe, i njohur për perfiditetin dhe mekanizmat e tij të kamufluar të kontrollit, kishte ngritur një kurth të padukshëm, veçanërisht ndaj intelektualëve shqiptarë me bindje pluraliste, e sidomos ndaj atyre me orientim nacional-demokratik.
▪︎ Në ato rrethana, intelektualët e kalibrit te prof. Ramiz Abdylit, gjendeshin përballë një paradoksi të vështirë. Sot, me përgjegjësinë morale që ndjej ndaj kujtimit të tij, dëshiroj të them një të vërtetë të cilën profesor Ramizi e kishte kuptuar shumë herët dhe nje ditë ma kishte thënë.
▪︎ E ajo e vërtetë është se prof. Ramiz Avdyli ishte ndër intelektualët e rrallë shqiptarë që e kishin kuptuar se e ardhmja e popullit tonë nuk mund të ndërtohej mbi dogmat e ideologjisë moniste.
▪︎ Prof. Ramizi e kishte kuptuar se shqiptarët, për të ecur përpara, duhej sa më parë të përqafonin vlerat e pluralizmit demokratik!
▪︎ Këtë ai nuk mund t’ia thoshte gjithëkujt, jo nga frika ndaj pushtetit, i cili ishte kunder pluralizmit demokratik dhe lirisë së fjalës, por sepse ishte i vetëdijshëm se një qëndrim i tillë nuk do të kuptohej drejt jo vetëm nga opinioni shqiptar i kohës, por as nga një pjesë e kolegëve të tij.
▪︎ Për këto që po i them sot këtu para jush, dëshmitar kam Zotin dhe shpirtin e prof. Ramizit, i cili pa dyshim që na dëgjon dhe na shikon sot këtu, duke e përkujtuar!
▪︎ Prandaj, kur flasim sot për profesor Ramiz Abdylin, nuk kujtojmë vetëm një profesor të historisë, por kujtojmë një edukator me virtyte të larta njerëzore, një intelektual vizionar me frymë kombëtare dhe demokratike, i cili pas vetes ka lënë një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit, dijes dhe krijimtarisë shkencore.
▪︎ Kujtimi për profesor Ramizin do të mbetet i gjallë te të gjithë ata që patën fatin ta njohin, të mësojnë prej tij dhe të frymëzohen nga shembulli i tij për të ecur rrugës së dijes, urtësisë dhe bashkimit kombëtar!
▪︎ Lavdi jetës dhe veprës së profesor Ramiz Abdylit!
Likovë, 31 maj 2026
*Ahmet Asani, veprimtar i Çështjes kombëtare dhe intelektual





