Agjenti mohon thashethemet: Nuk ka mundësi që Lautaro Martinez të largohet nga Interi

Lautaro Martinez ka qenë i lidhur me klube të ndryshme evropiane duke përfshirë Manchester Cityn, Arsenalin, Liverpoolin, Tottenham Hotspur dhe Atletico Madridin, por agjenti i tij, Alejandro Camano siguron se nuk ka asnjë mundësi që ai të largohet nga Interi.

Sulmuesi argjentinas theu mallkimin prej dy mujash pa gol, duke shënuar het-trik gjatë të premtes mbrëma në fitoren 5-0 të Serie A ndaj Salernitanas në San Siro.

Ky rezultat vendosi Nerazzurrët në krye të tabelës, duke pritur sfidën Napoli-Milan të dielën në mbrëmje për të shikuar nëse do të ketë ndryshim në renditje.

“Lautaro ishte shumë i zemëruar me topin që nuk donte të futej në rrjetë”, ka thënë fillimisht Camano për Calciomercato.it, duke iu referuar festës së mbushur me tërbim pas golit të parë, duke goditur flamurin nga këndi.

“Ishte një moment shumë i ndjeshëm për një djalë që kujdeset aq shumë për ngjyrat e klubit që përfaqëson. Ne jemi të gjithë shumë të lumtur pas kësaj nate fantastike me tre golat e tij, pasi është mundësia për ta lënë pas vete atë zemërim”.

 

Gjatë thatësirës së golit, e cila në Serie A kishte zgjatur që nga mesi i dhjetorit dhe në të gjitha garat që nga fillimi i janarit, pati raportime që Interi ishte i përgatitur të shiste Lautaro Martinez gjatë verës për rreth 70 milionë euro, por agjenti mohoi.

“Ai po qëndron në Inter. Lautaro ka një kontratë pesëvjeçare me Interin, ndihet si një Interista. Interi është ekipi në zemrën e tij. Ai ndihet si një tifoz shtesë në fushë”.

“Familja e tij është gjithashtu shumë e lumtur në Milano. Mund të them me siguri: nuk ka asnjë mundësi që Lautaro të largohet nga Interi. Ai kujdeset shumë për të fituar me këtë klub”, përfundoi agjenti i sulmuesit.