Afganistan: Talibanët do të fillojnë të paguajnë punonjësit publikë pas tre muajsh

Mes një krize ekonomike në rritje, talibanët janë zotuar të paguajnë pagat e punonjësve publikë pas tre muajsh. Qeveria talibane tha të shtunën se kishte filluar të paguante punonjësit e qeverisë që kishin mbetur pa paga që kur grupi islamik mori pushtetin në Kabul në gusht.

“Ne do të fillojmë të paguajmë pagat nga sot. Ne do të paguajmë pagat e tre muajve,” tha Ahmad Wali Haqmal, zëdhënës i Ministrisë së Financave në një konferencë për shtyp.

Pagesa do të mundësohet nëpërmjet sistemit bankar të vendit. Por mbetet e paqartë nëse fondet do të arrijnë tek ata që kanë nevojë. Që nga gushti, sektori bankar i Afganistanit është shembur dhe njerëzit që kishin para në banka kanë luftuar për të hyrë në fondet e tyre, pasi degët kufizuan tërheqjet, transmeton Klankosova.tv.

Në mungesë të parave, shumica e punonjësve të qeverisë ende nuk janë kthyer në punë. Madje shumë prej tyre nuk ishin paguar për muaj para se talibanët të vinin në pushtet. Një tjetër zëdhënës i talibanëve, Inamullah Samangani, tha të shtunën se mbledhja e të ardhurave për grupin ishte rritur kohët e fundit.

“Ministria e Financave thotë se, në 78 ditët e fundit të punës të tre muajve të fundit, ne kemi gjeneruar të ardhura prej rreth 26,915 miliardë afganë (255 milionë euro),” pohoi ai.

“Ne kemi mbledhur 557 milionë afganë të ardhura vetëm të mërkurën,” tha Samangani, duke cituar Ministrinë e Financave dhe duke shtuar se pagesa e pensioneve për punëtorët në pension do të rifillojë gjithashtu së shpejti.

Kriza financiare e Afganistanit është rënduar që kur Uashingtoni ngriu ndihmën për Kabulin dhe Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaluan aksesin e Afganistanit në financim. Situata i ka detyruar afganët të shesin mallrat e tyre shtëpiake për të mbledhur para për ushqime dhe gjëra të tjera thelbësore, me rënien e monedhës dhe rritjen e çmimeve.