Afaristët në Maqedoninë e Veriut të shqetësuar nga ikja e kuadrove në Gjermani

Punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut theksojnë se lehtësimi i procedurave në Gjermani për punëtorët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, do të rris mungesën e krahut të punës në shumë profile me atë që shumë biznese do të jenë të goditura madje disa duke i çuar në falimentim.

Ambasadori gjerman në Shkup, Tomas Gerberih, përmes një video-paraqitje gjatë kësaj jave, ka sqaruar se në bazë të lehtësimeve që ka aplikuar shteti gjerman personat e kualifikuar që do të arrijnë të sigurojnë një vend pune në Gjermani atyre me automatizëm u vazhdohet leja e qëndrimit.

“Sipas ligjit, personat e kualifikuar profesionistë nuk janë vetëm persona me arsim të lartë të kryer, por edhe persona profesionistë me arsim të mesëm profesional”.

“Si hap i parë duhet të dëshmohet ky kualifikim para se të parashtrohet kërkesë dhe të pranohet nga shërbimet gjermane kompetente. Për kualifikim të pranuar profesional mund të shtrohet kërkesë për vizë, për të cilën ju nevojitet edhe ofertë konkrete për vend pune. Që të munden personat profesionistë të kenë dobi nga procedura e përshpejtuar, punëdhënësi i ardhshëm në Gjermani duhet të parashtrojë kërkesë adekuate. Kur e gjithë kjo do të deponohet, ambasada do të japë vizë”, ka sqaruar kështu procedurat ambasadori gjerman në Shkup.

Përderisa, kryetari i Konfederatës së punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut Mile Boshkov, për Radion Evropa e Lirë thotë se largimi i një pjese të madhe të punëtorëve nga Maqedonia e Veriut ka efekt negativ në dy dimensionee para humbet fuqia punëtorë që kontribuon në ekonominë e vendit dhe e dyta ulet në masë të theksuar dhe fuqia konsumuese.

Boshkovski thotë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk largohen nga vendi vetëm për shkak të pagave të ulëta por në mase dhe për cilësinë e jetesës, veçanërisht shërbimeve të këqija në sistemin e shëndetësisë dhe arsim.

“Humbja e fuqisë punëtore do të jetë shumë e dhimbshme për ekonominë e vendit. Nuk dua të tingëlloj shumë pesimist, por kjo do të jetë fatale për biznese të caktuara. Të rinjtë kanë më shumë informacione dhe krahas pagës për ta është shumë e rëndësishme cilësia e jetës dhe kushtet e punës dhe në këtë drejtim Maqedonia e Veriut mbetet shumë prapa”, thotë Boshkov.

Në këtë drejtim, nënkryetarja e qeverisë përgjegjëse për çështje ekonomike Mila Carovska, ka theksuar se gjatë tre viteve të fundit janë implemtuar shumë masa për ngritjen e cilësisë së jetës duke rritur pagën minimale dhe mundësuar më shumë subvencione për hapjen e bizneseve nga të rinjtë, në ketë mënyrë, thekson ajo, synohet ndalja e hovit të fuqisë punëtore.

Përderisa, Menderes Kuçi, afarist, pjesë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se të rinjtë pavarësisht se nuk janë të kualifikuar nuk janë të interesuar për të punuar për paga të ulëta e cila nuk mundëson një jetë me dinjitet dhe të pavarur nga prindërit gjë që e cila u mundësohet në Gjermani.

“Shtrohet pyetja a është i përgatitur vendi, gjegjësisht cilat janë strategjitë e shtetit në këtë drejtim që gjithnjë e më pak mbeten kuadro të kualifikuara, gjegjësisht kemi një numër të lartë të punëtorëve që paraqiten në byronë e punësimit, por nuk janë të aftë të bëjnë punën që i kërkon, ekonomia e vendit është kjo çështje që duhet vënë gishtin në kokë”.

“Është momenti i fundit kur bien kambanat në të gjitha anët që të reformohet një herë e përgjithmonë sistemi arsimor këtu tek ne për të prodhuar kuadro cilësore dhe në profile të duhura, përkatësisht që kërkohen në tregun e punës me këtë dhe të sigurojnë pagë më të lartë edhe në vendin tonë”, thotë Kuçi.

Sipas të dhënave që ka publikuar Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, 60 për qind e kompanive kanë vështirësi të mëdha në gjetjen e kuadrit të kualifikuar për të angazhuar në punë.

Ndërkohë që në Entin për Punësim, rreth 190 mijë persona janë të regjistruar si të papunë, prej tyre, më shumë se 100 mijë në mënyrë aktive kërkojnë të sigurojnë një vend pune./REL