Afaristët ankohen, politikanët dëgjojnë: Kemi nevojë për rrugë të asfaltuara, kanalizime dhe ujësjellës

Kanalizimi, ujësjellësi, rrugë të paasfaltuara, tokë e cila paguhet dyfish më shtrenjtë se vendet tjera! Për këto gjëra u ankuan afaristët në zonën industriale në Vizbeg. Nexhat Shahini, kryetar i shoqatës së afaristëve në zonën e Vizbegut kërkon nga qyteti i Shkupit që ta ndërton bulevardin pranë zonës, i cili është më i frekuentuar në vend.

“E vetmja rrugë që çon në qytetin e Shkupit është kjo rruga e Kosovës, 40% e qytetarëve të cilët shkojnë në qendrat tregtare e kalojnë këtë rrugë. Kjo rrugë është sikur rrugë fshati e gjitha me gropa për të cilën njerëzit ankohen për thyerjen e makinave”, deklaroi Shahini.

Ministri i ekonomisë tha se paratë për kanalizim dhe ujësjellës janë ndarë nga qeveria, ndërsa premton realizim të shpejtë.

“Me mandatin e ardhshëm me siguri do ta miratojmë, zona e Vizbegut do ta ketë statutin e veçantë si zona e gjelbër industriale, ku qeveria drejtpërdrejt do të mund të ndërhyjë sa i përket ndërtimit të infrastrukturës”, theksoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka potencuar se kërkesat e afaristëve janë të domosdoshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Nuk duhet shumë përkushtim teknologjik për të ndërtuar infrastrukturën, kanalizime, ujërat e zeza, ujësjellës, zgjidhje për plehrat”, potencoi Ahmeti.

Ndryshe në zonën industriale në Vizbeg ka afër katër mijë punëtor ndërsa kjo zonë gjeneron 500 milion euro në vit.