Palmer porosi zyrtarëve të Qeverisë së Shkupit

Kryeministri Oliver Spasovski gjatë qëndrimit dyditor në Bruksel, realizoi takim edhe me përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit të shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer.

Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer gjatë bisedës shprehu urime për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, për Ligjin e Mbrojtjes, si dhe për ligjet e tjera reformuese të cilët e afrojnë Maqedoninë e Veriut më afër vendimit pozitiv të BE-së për fillimin e negociatave. Në takim, siç bëri të ditur pres-shërbimi qeveritar, është përshëndetur përcaktimi i Qeverisë që ta respektojë dhe zbatojë Marrëveshjen e Prespës dhe përfitimet nga ajo e cila e bëri Maqedoninë e Veriut faktor të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit dhe lider në bashkëpunimin rajonal.

Në bisedën me përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer, është konfirmuar miqësia dhe partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut. Spasovski në takim i përsëriti aspiratat e vendit tonë që të ndërtojë kapacitet të fuqishëm të institucioneve që të rrumbullakohen reformat demokratike në vend, si dhe të intensifikohen projektet për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon. Spasovski potencoi se Qeveria në periudhën e ardhshme është e përqendruar në organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, si dhe në sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. Në bisedën mes Spasovskit dhe përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit shtetëror amerikan për Ballkanin Perëndimor, Palmer, ishte potencuar se Maqedonia e Veriut pret nga BE-ja që ta përmirësojë gabimin nga tetori i vitit të kaluar dhe të sjellë vendim të merituar për fillimin e negociatave në mars, dhe se këtë e presin të gjithë qytetarët sepse vendi i përmbushi kushtet dhe se tani është koha që BE-ja të ofrojë rezultate dhe të sjellë vendim të drejtë.