Ademi pas fitores për kryetar të FFK: Nuk është privilegj por obligim, ju dua të gjithëve afër në çdo moment

Agim Ademi ka marrë besimin e 43 delegatëve për të vazhduar në krye të FFK.

Kryetari i FFK, Agim Ademi ka thënë disa fjalë pasi mori votat e mjaftueshme për të vazhduar mandatin e tij edhe për katër vite.

Ademi ka falënderuar të gjithë, duke kërkuar që të vazhdojnë ndihmën e tyre edhe në punë, dhe jo vetëm në këtë votim.

“Ju falënderoj që më dhatë edhe një mandat. Nuk e marr privilegj, por obligim. Është edhe falënderim. Ju thash paraprakisht, këtë obligim nuk mund ta kryej pa ju. Ju dua afër në çdo moment. Këtë përgjegjësi që ma dhatë mua dhe ndihmën që do të ma jepni vazhdimisht, sigurisht unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendim ndryshe. Edhe ata do të jenë në klubet tona. Besoj se do t’ua kthej besimin edhe atyre me një punë të madhe në futboll, sepse futbolli është për të gjithë ne. Unë jam njëri nga ju. Jam i botës së futbollit. Jam në shtëpinë time, në familjen time dhe në zanatin tim. Unë them në zanatin tim sepse jam njeri i futbollit. Si futbollist, si udhëheqës i Federatës, i di thuajse hallet e të gjithëve. Hallet e futbollistit, investitorit të klubit, por i di edhe punët e FFK. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat që ndihmojnë, që i kemi tonat dhe ndërkombëtare. Asnjëherë nuk e shoh përulje me lutë dikë me kry punë për futbollin e Kosovës. Ky mision është vullnetar për mua. Ju falënderoj shumë”, ka thënë Ademi, përcjell lajmi.net.

Ademi ishte kandidat i vetëm në këtë garë.