Abdixhiku: Së shpejti me platformë të detajuar mbi çdo hap që vendi ynë duhet të marrë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar udhëheqësit, pronarët dhe themeluesit e 100 bizneseve më të mëdha në vend.

Pas këtij takimi, ai ka shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook, ku ka bërë të ditur se së shpejti do ketë një platformë të detajuar mbi çdo hap që Kosova duhet të marrë, raporton Klan Kosova.

“Takova sonte udhëheqësit, pronarët e themeluesit e 100 bizneseve më të mëdha në vend. Janë taksapaguesit e punëdhënësit më të mëdhenj në shtet. Kolektivisht kontribuojnë në 80% të ekonomisë së vendit tonë – dhe kjo flet mjaftë për këta patriotë modern”, ka shkruar ai.

Sipas tij, pjesëmarrja e lartë e tyre në këtë takim përveç se vlerë dhe nder, ishte shenjë e përgjegjësisë që ‘Rruga e re’ çdo ditë po merr”.

“U bashkuam sonte, si pjesë e platformës diskutuese ‘Rruga e re’ për të folur hapur mbi gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike në vend; mbi sulmet e paprecedneta e kërcënimet e pakuptimta të politikës ndaj njerëzve që krijojnë vlerë, punësim e zhvillim”, ka shtuar ai.

“Vullneti ynë është i paepur, ndërsa ‘Rruga e re’ po merr formë çdo ditë. Së shpejti me platformë të detajuar mbi çdo hap që vendi ynë duhet të merr”, ka shkruar në fund i pari i LDK-së.