Abdixhiku: Për LDK-në është e papranueshme mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në Republikën e Kosovës

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se subjekti politik që përfaqëson ai është kundër votimit në Kosovë për referendumin e organizuar nga Serbia, përcjell TV21. Abdixhiku thotë se për Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet ndërkombëtare janë të qarta sa i përket kësaj çështje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, tha Abdixhiku.

Ndryshe, Qeverisë së Kosovës nuk do të lejojë që shtetasit e Serbisë të votojnë në territorin e Kosovës në lidhje me referendumin në Serbi. Autoritetet kosovare kanë thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.

Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.