Abazoviq arrin marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije deklaroi sot pas takimit me kryeministrin malazez Dritan Abazoviq se kanë arritur një marrëveshje e cila është e emëruar si “Marrëveshje Themelore”.

Teksti i kësaj marrëveshje është harmonizuar dhe duhet të kalojë në Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe, pas së cilës do të caktohet edhe një datë për nënshkrim.

“Duke u nisur nga fakti që kisha është ende e ndarë nga shteti dhe se kisha jonë, kudo që ka juridiksionin e saj, respekton absolutisht çdo shtet dhe ligjet e tij erdhëm në përfundim se është e rëndësishme që marrëdhënia mes kishës dhe shtetit të rregullohet me kontratë”, tha Porfirije.

Ndërkohë, sipas Tanjug, kryeministri i Malit të Zi ka folur për hapat që do të ndiqen për ta shtyrë përpara marrëveshjen.

“Kemi përfunduar procedurat në nivel të grupeve punuese, do të shkojmë në komisionin për sistemin politik dhe më pas në qeveri, pres që së shpejti kjo çështje të vendoset ad acta në atë mënyrë që të tregohet respekt për serbët”, tha Abazoviq.

Siç ka thënë ai, kur gjithçka të përfundojë, marrëveshja do të nënshkruhet në Mal të Zi në afatin që do të arrihet, transmeton Klankosova.tv.