Abazoviç e pranon: Qeveria e rrezikuar, i mundur skenari i mbijetesës

Qeveria malazeze është në fije të perit, kryeministri Dritan Abazoviç nuk e mohon, por sipas tij, shanset që të mos mbërrihet deri në shembjen e saj, ekzistojnë.

Kushdo që dëshiron të rrëzojë qeverinë, dëshiron të distancojë Malin e Zi nga Bashkimi Europian, deklaroi Abazoviç, pas pjesëmarrjes në takimin e liderëve të partive që mbështesin dhe marrin pjesë në pushtetin ekzekutiv.

I pyetur nëse vihet në pikëpyetje mbijetesa e pushtetit ekzekutiv, ai tha se “mund të kemi filluar me atë skenar”.

“Sot në mëngjes DPS dhe SDP nuk kanë thënë se do të rrëzojnë Qeverinë, të gjithë janë të mendimit se Qeveria duhet të ruhet. Ka pasur edhe një propozim për të folur më shumë, nuk e konsideroj si qëllim të keq”, është komenti i kryeministrit malazez. “Qeveria mund të rrëzohet, por më pas do të bjerë dhe ëndrra e saj europiane”, shtoi ai.

Krerët e partive në pushtet u takuan sot në kryeministri ku u diskutua rreth Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe situatës delikate të ekzekutivit.

“Nëse dikush dëshiron të destabilizojë Malin e Zi dhe kush përfiton, le të gjykojnë qytetarët, nuk është në interes të qytetarëve. Kryeministri dhe qeveria nuk do ta inkurajojnë atë lloj destabilizimi”, tha Abazoviç.

“Vijesti” thoshte më herët se presidenti Milo Gjukanoviç, njëherazi lider i DPS-së, e ka ftuar Abazoviçin në takim së bashku dhe kreun e SDP-së, Rashko Konjeviç, si dhe përfaqësues të partive minoritare, me shpresën të shihet mundësia e anashkalimit të ngërçit.