A po lë NATO ‘në baltë’ Ukrainën?!

Shkruan: Medai Shaholli

Para fillimit të agresioni rus Ukraina u inkurajua dhe u mbështet nga perëndimi për qëndrimin dhe guximin e saj për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin teritorial.

Vite më parë Ukrainës ishte ofruar një shans nga perëndimi që t’i bashkohet NATO-s, përkundër kundërshtimit rus që të mos guxonin ta pranonin Ukrainën në NATO pa miratimin e Rusisë, të cilët përsërisnin të njëjtat argumente se anëtarësimi i Ukrainës në NATO paraqet kërcnim të interesave ruse në Detin e Zi dhe pranë kufinjve të saj si rajon gjeostrategjik dhe zonës e influencës ruse mbi këtë rajon.

Mbrojtja nga agresioni rus dhe lufta që bënë Ukraina për të ruajtur integritetin teritorial dhe sovranitetin është e drejt e saj po ama nuk është e ndershme si po e trajton perëndimi këtë luftë grabitqare të agresorëve rusë, pasi kanë joshur Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s, nga ana tjetër nuk i dërgojnë Ukrainës ‘armët e duhura’ për t’u përballur me ariun rus, por i vëzhgojnë nga lartë operacionet luftarake sesi agresorët rusë po shkatërrojnë çerdhe fëmijësh dhe spitale apo apartamente banimi të popullatës civile.
Në të gjithë këtë vorbull të luftës dhe të agresionit rus perëndimorëve u ka mjaftuar vetëm të flasin me superlativa për presidentin Zelenski si shembull i heroit të vendit të tij dhe vetëm kaq.

Vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë nuk është masë e mjaftueshme ‘ndëshkimi’ që ariu rus të tërhiqet nga Ukraina me bishtin ndër shalë, kur sipas burimeve të mirëinformuara dy bankat kryesore të Rusisë si Sberbank dhe Gazprombank, me transaksionet e tyre financiare në botë nuk janë prekur nga sistemi SWIFT, që do të thotë se perëndimi po loz me dy porta në këtë situatë.
Pra, në njërën anë perëndimi inkurajon Ukrainën për rezistencën e saj në luftë për ta mbrojtur teritorin e saj, nga ana tjetër ariut rus u lihet mundësi për të bërë transaksionet financiare me perëndimin pa çarë kokën fare për sanksionet e vendosura si masa shtrënguese dhe presioni politik për ndërhyrjen ushtarake ndaj agresionit mbi Ukrainë.

Ky qëndrim i perëndimit është qyqarllëk përballë agresionit rus që po bën hatanë me bombardime nëpër qytetet dhe fshatrat e Ukrainës, pasi e kanë provokuar ariun rus me ofertën joshëse për anëtarësim të shpejtë të Ukrainës në NATO, ata po e lënë në ‘baltë’ duke i dërguar armë jo të ‘duhura’ përballë arsenalit rus që si duket akoma nuk i kanë përdorur të ‘duhurat’, por që deri më sot ka nxjerr në betejë rrangulla të vjetëruara të kohës së Brezhnjevit që shpartallohen lehtë sikur të ishin ‘zhguall breshke’.

Ose thënë ndryshe kaq thuhet për publikun ose e ata kanë strategjinë e tyre për ta mposhtur ariun rus, por deri ahere do të kemi shumë viktima të pafajshme në fushëbetejën e madhe të shekullit të quajtur Ukrainë.

Sesi do përfundoj kjo luftë grabitqare për dominim dhe influencë e dinë vetëm ata që e kanë nisur!