Temperatura po shënon 37 gradë. Me këtë kamerë termike skenohen pasagjerët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, e që kanë lidhje me rajonin e Kinës. Kjo si masë preventive ndaj virusit vdekjeprurës të quajtur koronavirus, i cili nisi në Vuhan të Kinës dhe arriti edhe në Evropë.
Nëse temperatura e ndokujt shënon mbi 38 gradë, intervenojnë ekipet mjekësore, e dërgojnë për analiza më të hollësishme në dhomën speciale në aeroport. Në qoftë se rezulton se pacienti ka koronavirus thiret ndihma e shpejtë dhe shtrohet në klinikë.
Mirëpo temperature jo gjithnjë e përcakton virusin. Mjekët thonë se temperatura mund të ngritet edhe nga gripi, e ndonjëherë udhëtarët mund të kenë virusin por nuk transmetojnë temperaturë të lartë.
“Nëse janë në periudhë të inkubacionit, ka mundësi që të mos tregojnë temperaturë të rritur e të jenë bartës të virusit. Kjo është vetëm një pjesë e masave preventive dhe nuk dmth që nëse këtu nuk regjistron temperaturë të rritur nuk ka udhëtar që ka koronavirus. Kështuqë nuk duhet të ngritet panik rreth gjithë kësaj”, deklaroi Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik.
Pasagjerët që kanë ardhur nga Anglia e shohin të sigurtë Maqedoninë.
“Ndoshta këtu jo, ende jo. Mendoni se Maqedonia është e sigurtë. Po ashtu mendoj, posaçërisht pasi ka kamera për skenim”, theksoi një pasagjere.
“Jo mendoj se është në rregull. Maqedonia nuk është shtet që i kanoset rreziku nga koronavirusi”, tha një tjetër pasagjere.
Ministri i Shëndetësisë tha se në vendin tonë nuk ka raste të shënuara dhe nuk ka rrezik që koronavirusi të përhapet, pasiqë siç u shpreh janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura sipas OBSH.
“Sistemi është vendosor, kamera termike që dje funksionon dhe është në rregull. Kemi bërë orar për mjekët dhe epidemiologët nga Instituti për shëndet publik, që të jenë prezentë për gjatë skenimit. Në mëngjes patëm edhe një takim pune me drejtorin e TAV, ato do të bashkëpunojnë me ne që ato aeroplanë gjithnjë të jenë vetëm në një ose dy pika, sa më afër dhomës së izoluar. Për shkak të aspektit praktik që kamera të qëndrojë vetëm në një vend”, deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, asnjë nga 100 shtetasit maqedonas që ndodhen aktualisht në Kinë nuk janë të sëmurë dhe nuk janë në zona të rrezikshme.
Ky virus çdo ditë e më shumë po përhapet, dhe po i afrohet Maqedonisë. Në Evropë pas tre rasteve në Francë edhe Gjermania ka njoftuar një rast të infektuar me koronavirus. Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Kinë arriti në 106, ndërkohë që numri i rasteve të infektuara pothuajse u dyfishua brenda ditës.
Autoritetet kineze njoftojnë se numri total i njerëzve të prekur me këtë virus është 4,515.
Koronavirusi, që është një familje e gjerë e viruseve, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe tash për tash nuk ka kurë ose vaksinë specifike për të.