A mund të jetë e vërtetë se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet e Kosova jo

Shkruan: Augustin Palokaj

Shpesh në BE thonë se “niveli i besimit të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i ulët”, që e vështirëson progresin në procesin e normalizimit të raporteve. Madje fraza “niveli shumë i ulët” përdoret për të zbutur faktin se nuk ka besim fare mes palëve në dialog. Kjo nuk është asgjë e re dhe kështu ka qenë gjatë tërë procesit. Dhe kjo është e natyrshme, sepse palët kanë hyrë në dialog për të mbrojtur qëndrimet dhe interesat e tyre kombëtare. Dhe ato janë të kundërta. Kosova ka hyrë në dialog për të normalizuar raportet me Serbinë si dy shtete sovrane. Serbia ka hyrë në dialog për të ruajtur përshtypjen se Kosova nuk është shtet dhe, nëse nuk është formalisht e administruar nga Serbia, atëherë asgjë në Kosovë nuk mund të ndodhë pa aminin e Serbisë. Dhe Serbia përmes dialogut, po ashtu, se Kosova nuk është shtet, se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur, dhe si dëshmi se statusi nuk është çështje e kryer, përmendi pikërisht dialogun. Kemi dëgjuar disa herë nga përfaqësuesit e Serbisë se “sikur statusi të ishte çështje e kryer Kosova nuk do të vinte në dialog”. Me shumë sukses Serbia ka përdorur, dhe vazhdon ta përdorë, dialogun si argument kundër njohjes së Kosovës e në disa raste edhe për tërheqjen e njohjes. Në këtë mënyrë Serbia përmes dialogut ka arritur ta normalizojë mosnjohjen e Kosovës. Prandaj kur kanë qëllime krejt të kundërta, e sjellja shpesh përcillet me fyerje siç është ajo tash kur kryenegociatori i Serbisë e quan kryeministrin e Kosovës “Hitler të vogël” e flamurin e Kosovës “leckë”, nuk habit as niveli i madh i mosbesimit… (Koha.net)