A kanë të drejtë të paraburgosurit të ushtrojnë lirshëm besimin fetar, tregojnë nga Gjykata Speciale

Avokati, Sali Bislimi i cili pritet t’i bashkohet mbrojtjes së ish presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka ngritur dyshime se Gjykata e Hagës nuk zbaton të drejtën themelore për të ushtruar lirinë fetare.

Lidhur me këtë portali rtv21.tv ka kontaktuar Gjykatën Speciale në Hagë. Nga kjo Gjykatë kanë thënë se rregullat e paraburgimit parashohin që përfaqësues të kualifikuar të besimeve fetare ose bindjeve të të paraburgosurve lejohen të mbajnë shërbime dhe aktivitete në ambiente të përshtatshme brenda objektit të paraburgimit dhe t’i vizitojnë të paraburgosurit në kohë të përshtatshme.

“Gjithashtu, në masën që është praktikisht e mundshme, të paraburgosurve u lejohet të marrin pjesë në shërbimet fetare, ceremonitë ose takimet e disponueshme në objektin e paraburgimit dhe të kenë në zotërim libra, literaturë ose udhëzues që lidhen me besimet fetare ose bindjet e tyre, në varësi vetëm të kufizimeve të nevojshme për ruajtjen e sigurisë ose të rregullit në objektin e paraburgimit. Brenda objektit të paraburgimit, është në dispozicion të të paraburgosurve një hapësirë e caktuar që plotëson dhe adreson këto nevoja shpirtërore dhe fetare”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje sërish nga Sali Bislimi për të sqaruar çështjen në fjalë, por që ai ende nuk ka dhënë detaje.

Katër krerët e lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza për krime lufte, në Hagë. Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.