A është abetarja shqiptare e unifikuar pa Maqedoninë? Heshtje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Nxënësit në Kosovë dhe në Shqipëri do ta fillojnë vitin shkollorë me abetare të unifikuar, por jo edhe nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Diçka e tillë ishte premtuar që në vitin 2012 në Prizren me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptarë.

Në takimin e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se është folur që kjo abetare të mbërrijë deri tek secili fëmijë shqiptarë.

“Ne kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kemi folur edhe me kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me autoritet në Serbi që kjo abetare e unifikuar të shkojë tek të gjithë shqiptarët, tek të gjithë familjet dhe fëmijët shqiptarë, plus edhe në zonën tjetër që e ka merak vetë Albini, të diasporës”.- deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Tani që abetarja u unifikua, pyetëm në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se prej kur edhe nxënësit shqiptarë të Maqedonisë do ta kenë në duar këtë abetare, por nga ky dikaster nuk morëm përgjigje.

Por ja çfarë tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri 2 muaj më parë në emisionin Click Plus.

“Do të jemi pjesë e atij rrugëtimi për abetaren e përbashkët. Që do të thotë se do të jetë edhe në vendin tonë kur të realizohet atje abetare të përbashkët. Të dyja shtetet, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, kanë bërë thirrje për botimin dhe paraqitjen e autorëve të cilët kanë konkurruar, janë në procedurë. Pas publikimit të abetares atje së përbashkët, do të shohim bashkë me Byronë për zhvillimin e arsimit dhe me Drejtorinë pedagogjike që ta përshtatim dhe ta fusim edhe në sistemin tonë arsimor”.- pohoi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

Ndërkaqlibri i abetares së unifikuar tash më është shtypur dhe ka nisur dorëzimi deri tek fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Shpërndarja në Kosovë ka filluar në disa zona rurale e pastaj edhe në shkollat e qyteteve..