A do të vaksinohen personat me nevoja të veçanta?

“Nuk kemi mbajtur asnjë takim me institucionet kompetente nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, me qëllim që edhe personat me nevoja të veçanta të jenë pjesë e vaksinimit masiv”. Kështu thonë nga Koalicioni për mbrojtje të të drejtave të personave me nevoja të veçanta “Ndryshojmë”, në të cilin marrin pjesë rreth 20 organizata joqeveritare.

“Si koalicion kërkojmë që çdo personit t’i bëhet test për alergji. Nëse ai person mund të vaksinohet, cilën vaksinë mund ta pranojë dhe si do të manifestohet tek ai. Personat me nevoja të veçanta me vete bartin më së shpeshti ndonjë gjendje neuro-zhvillimore, me atë ata jetojnë dhe kemi frikë çfarë mund të ndodhë nëse e marrin vaksinën, të mos komplikohet gjendja. Unë si njeri vlerësoj se vaksinat paraqesin komprometim të qelizave të njeriut”, tha Suaret Alishan – Koalicioni i personave me nevoja të veçanta “Ndryshojmë”.

Alishan thotë se para dy-tre javëve kanë marrë lajm të rrejshëm edhe nga ana e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska se – prioritet për vaksinim do të jetë pikërisht kjo kategori qytetarësh.

“Këtë nuk mund ta përcaktojë MPPS, por mjekët amë të cilët udhëheqin sëmundjet e kësaj kategorie të qytetarëve dhe ata mund të thonë nëse këto persona mund ta pranojnë vaksinën ose jo. Dhe çështja e dytë, si ta marrin kur nuk është e obligueshme? Kur ofrojnë vaksinën, kush garanton për efektet? Vetë njeriu. Nuk garanton mjeku. Ne nuk kemi studim fizibiliti, nuk kanë as ata që e kanë zbuluar, se si do të ndikojë te personat me handikap”, shtoi Alishan.

Ai i ceki edhe fëmijët me autizëm, sepse disa vaksina nuk mund të pranohen, me qëllim që të shmangen efektet anësore. Në bazën zyrtare të të dhënave nuk ka persona me handikap. Por, jozyrtarisht rreth 120.000 persona jetojnë me ndonjë lloj handikapi. Edhe pse përkuam përgjigje nga institucionet kompetente lidhur me këtë temë, megjithatë ende nuk morëm përgjigje.

Prioritet për vaksinimin e personave me nevoja të veçanta do të kërkojë nga Qeveria Avokati i Popullit, Naser Zyberi.

“OMBUSMAN thekson mundësinë që personat me nevoja të veçanta të kenë mosbesim në sistemin shëndetësor për shkak të përvojave paraprake negative, diskriminim apo trajtimin që e kanë përjetuar, andaj vaksinimi duhet të bëhet vetëm pasi që të merret pajtueshmëri e plotë nga personi me nevoja të veçanta”, thonë nga Zyra e avokatit të popullit.

Nga atje kërkojnë që aplikacioni digjital për tregimin e interesit për vaksinim të jetë plotësisht i qasshëm edhe për personat me nevoja të veçanta.