A do të largohet Cristiano Ronaldo nga Manchester United?

Jorge Mendes ka pasur gjithmonë fuqi të jashtëzakonshme kur është fjala për Cristiano Ronaldon dhe tregun e transferimeve, megjithatë fakti që superagjenti portugez ka pohuar publikisht se sulmuesi është shumë i lumtur në Manchester United, është një deklaratë e pazakontë dhe shqetësuese.

Manchester United po përballet me një krizë në të cilën ekipi duket se nuk po punon si një njësi dhe Ronaldo po shihet si shkaku kryesor i problemit.

“Cristiano Ronaldo është shumë i lumtur në Manchester United. Ai do të vazhdojë me paraqitjet e tij të shkëlqyera, si gjithmonë në karrierën e tij. Do të jetë një sezon i mrekullueshëm për të, jam i sigurt”, kishte thënë Mendes.

Territori i paeksploruar për Ronaldon

Ronaldo konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka luajtur ndonjëherë futboll, megjithatë ai kurrë më parë në karrierën e tij nuk ka qenë në qendër të kritikave.

Edhe Real Madridi kaloi periudha të këqija derisa Ronaldo ishte në skuadër, por askush nuk guxoi të sugjeronte se problemi ishte portugezi, pasi  golat e tij ishin shumë të rëndësishëm dhe kishte shumë të tillë.

Nuk kishte në atë kohë rrezik të largimit të Ronaldos nga Real Madridi, pasi thjesht nuk ia vlente të mendohej, pasi ishte në kulmin e tij, dhe Mendes fliste vetëm kur Ronaldo donte një kontratë të re.

Lojtari e kishte këtë fuqi dhe ‘largimin’ potencial në atë kohë e diktonte si kërcenim për plotësimin e kushteve në “Santiago Bernabeu”.

Tani, fakti që ai nuk është aq i rëndësishëm për United është një territor i paeksploruar për të, dhe ndoshta arsyeja pse Mendes është shtyrë të flas në media.

Mendes mund të përpiqet ta mbajë Ronaldon te United

Ndërsa në të kaluarën Mendes mund të ketë folur për të detyruar klubet të përmirësojnë kushtet e Ronaldos, në këtë rast ka shumë të ngjarë që ai thjesht po përpiqet të ndalojë Unitedin që ta largojë atë.

Nuk ka asnjë klub tjetër që do t’i paguante atij një pagë që ka aktualisht dhe opsionet e tij të vetme reale janë në MLS.

Të qenit në Manchester United e mban Ronaldon në qendër të vëmendjes, ndoshta më shumë sesa te Juventusi, dhe do të ishte katastrofike për Mendes nëse United do të vendoste ta largonte për një sulmues të ri, siç është emri i Julian Alvarez që po flitet së fundmi.