A do të kalojë Vjosa Osmani te Vetëvendosja? Ja përgjigja e saj!

Vjosa Osmani nuk është përgjigjur direkt në pyetjen nëse mund të leshoje LDK-në dhe të kalojë në Lëvizjen Vetëvendosja, por ka bë të qartë se deshira e saj është të mbetet pjesë e një LDK-je të reformuar. Ajo ka thënë se qendrimet e saj do të varen nga vullneti i qytetarëve. Njëkohësisht ka bë të ditur se do të pranojë të udhëheqë një listë zgjedhore të LDK-së, por paraprakisht do të insistojë të bëjë ndryshime. “Nuk do të pranoj që dikush t’i mbledhë votat, e dikush ti sjellë vendimet”, ka theksuar Osmani.

Kryeparlamentarja kosovare duke folur në KTV, nuk ka treguar asnjë shenjë frike nga presioni që po i bëhet brenda partisë për shkak të mospajtimeve për mocionin e qeverisë Kurti. Ajo ka “goditur” direkt ata që po ia tregojnë derën për të dalë nga LDK-ja, transmeton Gazeta Lajm.
“Ata që po ma tregojnë derën le ta provojnë, por vetë do të dalin përmes asaj dere”, ka theksuar Osmani.

Paraprakisht ajo e bëri të qartë se nuk do të përkrahë Qeveri që varet nga Hashim Thaçi dhe Lista Serbe.

Osmani e ka pranuar se nga partia e saj ka pasur njerëz që kanë qenë kundër qeverisë Kurti në njërën anë, e në anën tjetër kanë punuar kundër kësaj qeverie. Ajo ka apostrofuar në këtë drejtim Agim Veliun, për të cilin haptazi tha se nuk ka pranuar të dalë në zgjedhje parlamentare, e më pad ka dashur të vendosë për koalicionet.
Shkuarjen eventuale të LDK-së në koalicion qeveritar me ndonjë parti tjetër e ka quajtur devijim të vullnetit të votuesve në zgjedhjet e 6 tetorit.