A do të hapet lëndë ndaj Zaevit dhe vëllait të tij, pyet VMRO-ja Prokurorinë

Zëdhënësi i opozitares VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski, në një konferencë për media sot pyeti nëse Prokuroria do të hapë lëndë për kryeministrin Zoran Zaev dhe vëllain e tij të cilët, siç thonë nga VMRO-DPMNE, kanë kontrolluar prokurorë dhe kanë kryer zhvatje. Këtë nga partia e Mickoskit e bazojnë tek dëshmia e babait të Bojan Jovanovskit. “Mile Jovanovski publiskisht ka dëshmuar se Zoran Zaev e ka urdhëruar Katica Janevën që të kthejë pasaporta dhe të lirojë njerëz të cilët paraprakisht i kanë shantazhuar”, u shpreh Arsovski.

“A do të hapë më në fund Prokuroria çështje për Zoran Zaev dhe vëllain e tij, që më në fund të zbardhet e vërteta? Deri kur Prokuroria do t’i mbrojë fajtorët kryesorë të çështjes “Reket”? Deri ku janë kallëzimet penale të ngritura nga i pandehuri Bojan Jovanovski kundër zyrtarëve në pushtet, duke përfshirë edhe kryesinë e LSDM-së? Gjyqësori në Republikën e Maqedonisë viteve të fundit ka dëshmuar se është i kontrolluar nga Zoran Zaev dhe ky është një fakt që të gjithë e dinë dhe nuk mund të ndryshohet. Ai padit, ai gjykon, shantazhon dhe vendos se çfarë të bëjë më pas me fatet njerëzore”, tha Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.