Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një intervistë për gazetën LAJM, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë ku ka filluar një valë e gjatë e arrestimeve të ish drejtuesve të UÇK-së. Ai i cilëson të padrejta këto arrestime pasi, sipas tij, po amistohen kriminelët dhe po fajësohen ata që vepruan drejtë gjatë luftës së Kosovës. I pyetur nëse mund të priten arrestime edhe Maqedoni, Sela tha se nuk do të dëshironte një gjë të tillë.
“Nuk do të kisha dashur të ndodh një gjë e tillë. Por duke pasur parasysh se lufta në Kosovë ka qenë luftë e shqiptarëve pavarësisht kudo që jetojnë ata, kjo do të godiste imazhin e UÇK-së. UÇK-ja ishte e shtenjtë, mbrojti lirinë, mbrojti jetën dhe një organizatë ushtarake që mbron jetën është për ta ngritur në pikën më të lartë të historisë botërore”, tha Sela.
Sipas tij ajo që po ndodh në Kosovë, është një skandal. “Për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë është shumë shqetësuese. Historia çdoherë njeh lufta dhe luftërat zhvillohen mes barbarëve dhe civilizimit. Lufta e Kosovës nuk bënte përjashtim nga ky rregull, ishte nga barbarët dhe njerëzit e civilizuar që e mbronin jetën, paqen dhe mëvetësinë e tyre. Barbarët sot janë të lirë kurse të civilizuarit po burgosen. Duke u nisur nga parimi se çmimi i një luftëtari të UÇK-së është liria, nuk kam asnjë dilemë që e drejta dhe liria do të ngadhënjejnë”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
LAJM: Si do të ndikojnë këto arrestime në imazhin e Kosovës?
Sela: Natyrisht do të ndikojë, por ngelet shqetësuese që kasta politike gjatë gjithë kësaj periudhe në Kosovë pas pavarësisë, e them me keqardhje, e ka amnistuar krimin i cili është bërë kundër shqiptarëve në Kosovë me sjellje të papërgjegjëshme politike. Prandaj, politikbërësit shqiptarë në Kosovë duhet t’i thirrin mendjes. Ato që ishin dhunues dhe aggressor ishin serbet dhe shqiptarët duhet të kërkojnë drejtësi për çdo shqiptar të zhdukur, për çdo femër të përdhunuar dhe drejtësi për çdo civil të vrarë. Ndryshe nuk ka./Gazeta LAJM