Nëna e deputetes nga Sllupçani s’ka shtetësi (VIDEO)

Vajzën e ka deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por vetë nuk posedon shtetësi të këtij vendi. Zonja Zifa Sadiku, nëna e deputetes së koalicionit AAA-ASH, Safije Sadiku , ëshë shpërngulur nga Gjilani i Kosovës në Sllupçan të Kumanovës në vitin 1970 kur është martuar, shkruan gazeta LAJM. Bashkëshorti dhe tetë fëmijët e saj janë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Që nga pavarësia e këtij vendi, 71 vjeçarja shqiptare ka aplikuar shumë herë për tu pajisur me nënshtetësi, por një gjë e tillë nuk i është mundësuar, ndonëse jeton në Maqedoni prej gjysëm shekulli.

Nëna e deputetes shqiptare nga Kumanova s’ka shtetësi (VIDEO)

Nëna e deputetes shqiptare nga Kumanova s’ka shtetësi (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Saturday, September 26, 2020

Zonja Zifa flet për vështirësitë e shumta që ka hasur në mungesë të shtetësisë së Maqedonisë. Një problem i madh për të ka qenë edhe lëvizja drejt Gjilanit të Kosovës ku jetonin prindërit dhe vëllezërit e saj. Ajo rrëfen se për shkak të mungesës së dokumenteve nuk ka mundur të merr pjesë as në varrimin e nënës së saj.

Vajza e saj, deputetja e opozitës shqiptare në Shkup, Safije Sadiku Shahini, thotë se probleme të ngjashme me nënën e saj, për shkak të mungesë së shtetësisë kanë dhjetëra mijëra shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ajo zotohet se, do të angazhohet që ky problem të zgjidhet.

Ditë më parë, ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se ka formuar një ekip që merret me këtë problematikë. Ai tha se po angazhohet që për këtë problem të ketë zgjidhje ligjore. /Gazeta LAJM

Përgatiti: Amir Idrizi