Doktor Ali Dalipi është një personalitet i mirënjohur kumanovar që përplotë katër dekada i ka shërbyer popullatës së kësaj treve, por edhe më gjerë. Ai gjithmonë të lë përshtypje të veçantë, me urtësinë dhe bisedat e këndshme, që vetëm se e lartësojnë personalitetin e tij human dhe shumë popullor.
Një jetë të tërë në shërbim të pacientëve, ku nuk mungojnë lavdërata dhe mirënjohje për të. Shumë prej tyre i janë mirënjohës doktorit, pasi që i ka shpëtuar nga verbërimi. “Ai më dha dritë jete, sepse më ka shpëtuar nga verbërimi”, thotë një pacient i tij, që rrëfen se si ka shpëtuar sytë falë kujdesit të mjekut Ali.
Me formësimin e tij profesional si oftamolog i dëshmuar në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, Dr.Ali Dalipi ka arritur që të fitoj titullin Doktor Primarius.
Jeta dhe rrugëtimi i tij profesional
Familja Dalipi është me origjinë nga fshati Zllakuqan, një vendbanim që ndan kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pikërisht aty u lind edhe doktori më 10 shkurt të vitit 1958. Pak vite më vonë më 1963 familja e tij shpërngulet në Kumanovë, ku ai përfundon shkollën fillore dhe gjimnazin.
Përkushtimi i tij për të qenë mjekë ishte që në periudhën e gjimnazit, ashtu që në vitin 1977 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku pas disa viteve më 1983 diplomon. Menjëherë punësohet në Qendrën Medicinale në Kumanovë, periudhën 1984-85 punon si mjek në fshatin Kleçovcë të Kumanovës. Formësimi i tij në fushën mjekësore vazhdon edhe si ushtar
në vitin 1985-86 ku angazhohet në Akademinë Ushatarake Mjekësore (VMA) në Beograd, ku në këtë drejtim arrin edhe titullin ushtarak kapiten sanitar i formacionit rezervë.
Pas kthimit nga shërbimi ushtarak dhe duke mos u ndalur në misionin e tij si mjek, gjatë periudhës 1986-88 punon si mjek në ndihmën e shpejt në Kumanovë, ndërsa nga viti 1988 deri 1994 ka qenë i angazhuar në ambulancën e fabrikës së njohur si gjigant “11 Tetori” në Kumanovë. Në këtë periudhë të këtyre viteve nis specializimin në oftamologji në Shkup dhe në vitin 1997 arrin ta kryejë ate, duke u rikthyer në Kumanovë si specialist në Repartin e Syve në kuadër të Spitalit të qytetit. Nga kjo periudhë vazhdon të jetë i punësuar i rregullt në këtë repart, duke kryer detyra udhëheqëse, deri në pozitën e kryeshefit të repartit.
Metodat e reja të ndërhyrjes dhe libri profesional
Dr.Ali Dalipi gjatë gjithë karrierës së tij profesionale ka qenë pjesëmarrës aktiv në kongreset dhe simpoziumet e organizuara brenda dhe jashtë vendit. Ai duke qenë i përkushtuar në lëminë e oftamologjisë dhe hulumtimet profesionale, fiton edhe titullin e primariusit.
Më vonë në vitin 2012 vjen edhe botimi i librit të tij profesional “Syri – njohuri themelore”. Gjatë gjithë kohës së udhëheqjes së Repartit të Syve në Spitalin e Kumanovës janë aplikuar metoda të reja të intervenimeve.
Në fillim është bërë operacioni i perdes së syve me implantim të thjerrzave, mënyra klasike dhe më vonë nga viti 2016, edhe metoda e popullarizuar si laser. Ai thotë përkushtimi i tij nuk ndalon këtu, sepse synon të vazhdojë edhe më tutje, duke qenë në hap me kohën.
Doktori thotë se për përsosshmërinë dhe avancimin profesional në këtë lëmi ka qenë në trajnime të ndryshme, përfshirë edhe përvojën e fituar në Kiev të Ukrainës, ku nga aty janë marrë risitë e lartëpërmendura.
I gjithë ky angazhim dhe avancim profesional është vlerësuar lartë edhe nga shoqatat e mjekëve dhe instutucione tjera. Ai për këto arritje është dekoruar tre here me mirënjohje të veçantë, diploma dhe pllaketë nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë. Po ashtu mirënjohje dhe çmime të veçanta ka marrë edhe nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë. Formësimi i tij profesional njihet edhe për nga pjesëmarrja në simpoziume të ndryshme shkencore, trajnime si dhe kursi i kryer për menaxher në shëndetësi.
Dr.Ali Dalipi njihet edhe si një aktivist politik dhe i shoqërisë civile, duke marrë pjesë në shumë aktivitete, përfshirë edhe njohjen e tij me politikën përmes tribunave, simpoziumeve dhe trajnimeve profesionale, e ndër to është është shkolla për politikë, që e ka ndjekur në katër cikle në Strasburg. Dr.Ali Dalipi dhe shumë humanistë e profesionistë të dëshmuar sikur ai meritojnë mirënjohje dhe respekt të përjetshëm sepse janë shëmbëlltyra e kësaj treve. (përgatiti: N.Pajaziti/INA)



