Pak orë kanë mbetur nga takimi në Shtëpinë e Bardhë ne mes të Kosovës dhe Serbisë, ku do të bëhet nënshkrimi trepalësh nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Por, çfarë pritet nga ky takim, derisa ende nuk dihet se çfarë do të nënshkruhet?
Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë duket se ka pasur arritje në fushën ekonomike.
“Çka pritet nga takimi në Washington! Takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë në Washington duket se ka pasur disa arritje, sidomos në fushën ekonomike, si dhe të qarkullimit të mjeteve, të mallrave dhe të njerëzve. A kanë suksese këto çështje pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse është një çështje në vete dhe shumë rëndë për të përcaktuar tash”, është shprehur ai.
Kelmendi vlerëson se pjesëmarrja e Trump në takim tregon se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet, pasi ai nuk do të merrte pjesë.
“Pjesëmarrja e z.Trump në takimin dy pakësh në mes Kosovës dhe Serbisë tregon se ka përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet. Përndryshe z. Trump nuk merr pjesë. Është e kuptueshme kjo. Administrata e SHBA-ve nuk munden të organizojë një takim të tille pa suksese, sepse zgjedhjet janë në nëntor dhe çdo mos sukses është humbje. Prandaj, sukseset janë faktor kryesor për z. Trump”, ka thënë profesori.
Sipas tij, marrëveshja do të realizohet në disa fusha.
“E nga kjo pjesëmarrje mendohet se në disa fusha do të realizohet ndonjë marrëveshje: 1. Fusha ekonomike dhe e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, e transportit tokësor dhe ajror etj. 2. Fusha organizative e minoritetit serb dhe të kishave ortodokse dhe 3. Çështjet në fushën e tërheqjes së kufirit që kërkon kohë dhe dialog më të gjerë dhe shumë të ngadalshëm”, ka theksuar Muhamet Kelmendi.
Më tej, ai shton se nuk pritet njohje reciproke, derisa thotë se nuk duhet të priten përmirësime nga takimi i sotëm me prezencën e Trump, për shumë çështje që ndikojnë në marrëdhëniet në mes të dyja vendeve.
“Këtu nuk priten njohje reciproke. Aktualisht janë dominuese temat ekonomike dhe telekomunikacionit, sikundër dhe qarkullimi i lirë mallrave dhe të njerëzve. Këtej do të kemi marrëveshje. Çështjet nga fusha organizative brenda Republikës varen shumë nga raportet midis dy shteteve dhe nga faktorët bisedues. Mund të pritet ndonjë asociacion dhe vendim mbi kishat! Si do të duket ai? Sigurisht do të këtë kompetenca! Mund të priten përmirësime gjoja të raporteve Prishtinë-Beograd. Por, sado të jenë këto produktive, është vështirë të themi se kanë suksese. Dhuna dhe terrori, gjenocidi ka qenë i lartë dhe intensiv mbi popullin tonë. Edhe 1600 shqiptarë janë të pagjetur. Kemi dëme të mëdha materiale dhe morale. Është një papërgjegjësi penale e lartë e pushtetit serb. Askush nuk është përgjigjur për përdhunimet e bëra të nënave dhe të motrave shqiptare. Këto janë tema që çdo marrëveshje, pa zgjidhjen e tyre, kurrë nuk i përmirëson marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Është marri të presim përmirësime të dukshme sot nga takimi në Washington me prezencën e z Trump. Të shpresojmë në më të mirën”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.